Quint-i dhe BE-ja të shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe

Në një deklaratë të përbashkët, pesë vendet e Quint-it, ku përfshihen Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë, kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe.
“Shprehim shqetësimin lidhur me përpjekjet e aktorëve politikë për të kufizuar garën midis partive politike që përfaqësojnë komunitetet pakicë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit”, thuhet në deklaratë.
Quint thotë se çdo përpjekje për të përjashtuar komunitete të caktuara cenon parimet demokratike dhe minon besimin në institucionet e Kosovës.
“Presim nga qeveria në detyrë dhe të gjitha partitë politike që të përmbahen nga hapa që mund të pengojnë regjistrimin e partive. Të gjitha procedurat duhet të zhvillohen në përputhje të plotë me rregullat dhe mandatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet në reagim.
Po ashtu, partitë që ndihen të prekura nga këto pengesa janë inkurajuar të përdorin në mënyrë të plotë Panelin për Ankesa dhe Parashtresa të Zgjedhjeve (PZAP) për të kërkuar drejtësi.
Ndryshe, në një mbledhje të mbajtur të enjten pasdite, anëtarët e KQZ-së nuk votuan për certifikimin e Listës Serbe pas ankesave të dy anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Njëri nga anëtarët, Sami Kurteshi, tha se mbi “90 për qind të personave që janë në listat e kandidatëve të Listës Serbe janë të anëtarësuar në institucione paralele serbe në Kosovë”.
Vendimi u përshendet nga ministrja në detyrë e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, e cila tha se Lista Serbe “në mënyrë të përsëritur ka vepruar kundër parimeve kushtetuese dhe ka cenuar rendin demokratik të Republikës së Kosovës".
Lista Serbe mund të ankohet ndaj këtij vendimi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili, sipas disa ekspertëve ligjorë, do ta rrëzojë vendimin e KQZ-së./Telegrafi/











































