QKMF Gjilan shënon Ditën e Infermierisë me aktivitete në shërbim të qytetarëve

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjilan e ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë me një sërë aktivitetesh të organizuara nga stafi.
Përmes një komunikate, QKMF bën të ditur se janë organizuar aktivitete simbolike, ku infermierët dhe studentët kanë ofruar shërbime për qytetarët.
“Janë ofruar shërbime si matja e tensionit arterial, matja e pulsit dhe e glikemisë. Këto shërbime iu ofruan të gjithë kalimtarëve të rastit, në shenjë kujdesi dhe vetëdijësimi për shëndetin”, thuhet në komunikatë.
Përndryshe, aktivitetet janë realizuar në çdo Qendër të Mjekësisë Familjare, duke përfshirë ekipet infermierore në të gjitha lagjet dhe njësitë përkatëse të qytetit.
Nga QKMF theksojnë se çdo vit e shënojnë këtë datë me përkushtim të veçantë, duke nderuar 12 Majin – ditëlindjen e Florence Nightingale, themelueses së infermierisë moderne. /Telegrafi/

















































