Qëndrim Zyba pret me entuziazëm t’i bashkohet Prishtinës pas lëndimit, mesfushori ndjehet optimist për stinorin pranveror

Qëndrim Zyba është një ndër talentët më të mëdhenj që aktivizohet në futbollin e Kosovës në klubin më të madh në Kosovë, FC Prishtina.
20-vjeçari tash e katër vjet është pjesë e “bardhekaltërve”, ndërkohë që ka mahnitur me paraqitjet dhe aftësitë e shfaqura në fushë.
Mesfushori edicionin e kaluar ishte në kulmin e karrierës së tij, teksa në ndeshjen ndaj Ferensvarosit në Ligën e Kampionëve u ndërpre gjithçka kur e pësoi një lëndim të rëndë në ligamentin e gjurit në takimin e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Që nga 13 korriku, Zyba nuk ka shkelur në fushat e gjelbra, ndërkohë që më 28 korrik i është nënshtruar operimit me shumë sukses.
Tash e një kohë Zyba, që është edhe pjesë e Përfaqësueses së Kosovës U-21, e ka nisur fazën e rikuperimit.
Në një prononcim për faqen zyrtare të klubit FC Prishtina, Zyba e ka dhënë një lajm të madh, duke njoftuar se në javën e dytë të janarit do t’i bashkohet në stërvitje skuadrës së drejtuar nga trajneri Abdulah Ibrakovic.
Rikthimi: Ekipit në përgatitje do t’i bashkohem në javën e dytë të janarit, me ritëm gradual, në mënyrë që të përgatitem për pjesën pranverore të kampionatit.
Ecuria e Prishtinës në stinorin vjeshtor dhe ëndrra e madhe e pranverës: Ecuria e skuadrës nuk ka shkuar ashtu siç e kemi parashikuar. Gjithsesi, Prishtina do të kthehet shumë shpejt aty ku e ka vendin dhe do ta mbrojë titullin kampion në 100-vjetorin e themelimit të klubit.
























































