LAJMI I FUNDIT:

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria – The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria – The Guardian sjell detajet

Dhjetëra oficerë policie dhe punonjës socialë italianë, të vendosur – nga qeveria e ekstremit të djathtë të Italisë – në qendrat e emigrantëve në Shqipëri janë kthyer në shtëpi.

Kështu raporton mediumi prestigjioz britanik The Guardian, sipas të cilit, hapi u mor pasi doli se objektet, të vlerësuara si një model për të reduktuar ardhjet e refugjatëve, kanë qenë bosh prej javësh, përcjell Telegrafi.

Siç vë në pah mediumi britanik, pak më shumë se një muaj pas hapjes së shumëpërfolur të qendrave të paraburgimit miliona euro për azilkërkuesit në Shqipëri, të cilat supozohej të merrnin deri në 3000 burra në muaj, më shumë se 50 policë u kthyen në Itali dy javë më parë, ndërsa dhjetëra punonjës socialë janë larguar gjatë fundjavës, me praninë e tyre në Shqipëri të cilësuar si “të panevojshme”.


Po sipas mediumit britanik, që nga hapja e tyre më 11 tetor, vetëm 24 azilkërkues janë dërguar në qendrat në Shqipëri, me qëllim riatdhesimin e tyre në vendet e origjinës.

“Pesë kaluan më pak se 12 orë në një qendër paraburgimi, ndërsa pjesa tjetër qëndruan për pak më shumë se 48 orë”, shkruan The Guardian.

Të gjithë u transferuan në Itali pasi gjyqtarët italianë e konsideruan të paligjshëm ndalimin e tyre në Shqipëri përpara riatdhesimit në vende, si Bangladeshi dhe Egjipti, të konsideruara si “të sigurta” nga Roma.

Duke vepruar kështu, gjyqtarët po mbështesnin një vendim të 4 tetorit nga gjykata e drejtësisë e BE-së (ECJ) se një vend jashtë bllokut nuk mund të shpallej i sigurt nëse i gjithë territori i tij nuk konsiderohej i sigurt.

Si rezultat, qendrat, të prezantuara nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si një model i ri për krijimin e “qendrave të përpunimit dhe ndalimit për azilkërkuesit jashtë BE-së”, janë bosh prej më shumë se një muaji.

“Në një kohë kur qeveria po ‘ka vështirësi’ të balancojë buxhetin – duke shkurtuar fondet për arsimin, shëndetësinë dhe sigurimet shoqërore – partitë opozitare e kanë përshkruar marrëveshjen, që do të kushtojë rreth 1 miliardë euro gjatë pesë viteve, si një ‘katastrofë financiare’”, shkruan më tej The Guardian.

“Misioni u krye!” tha Riccardo Magi, presidenti i partisë së majtë opozitare Più Europa (Më shumë Evropë).

“Qeveria ka pasur sukses në përpjekjet për riatdhesim. Të emigrantëve? Jo, të operatorëve italianë të dërguar në Shqipëri, të cilët do të kthehen në shtëpi brenda fundjavës. Qeveria fillimisht shpenzoi një shumë të madhe fondesh publike, më pas me qendrat e zbrazura, solli disa punonjës policie në Itali dhe tani edhe punonjësit socialë po kthehen në shtëpi. Ky është një dështim epokal”, citohet të ketë thënë ai.

Siç thekson mediumi britanik, qeveria ka thënë se qendrat në Shqipëri “do të mbeten të hapura dhe funksionale” dhe se transferimet në Itali janë bërë sipas nevojave të personelit.

Megjithatë, besueshmëria e kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, është në rrezik pasi ajo e bëri emigracionin një çështje qendrore të fushatës, thekson The Guardian duke shtuar se në të kaluarën ajo ka kritikuar paraardhësit për shpenzimin e parave publike për menaxhimin e krizës së migracionit.

Siç bëhet e ditur më tej, transporti nga deti në një anije ushtarake italiane me vetëm tetë burra që mbërritën në Shqipëri gjatë një fundjave në mes të nëntorit kushtoi 250,000 € – më shumë se 31,000 € për azilkërkues në bord.

Elisabetta Piccolotti, një deputete e partisë së Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë, tha: “Qeveria ka dështuar duke e ditur se do të dështonte. Ata kanë shpenzuar një mal me para dhe kanë luajtur me të drejtat e njerëzve. Kjo do të mbetet në histori si një faqe e turpshme për vendin tonë”. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Aksidenti me tre viktima në Çubrel të Skenderajt: Edhe pesë të lënduar, katër prej tyre zyrtarë policorë

Aksidenti me tre viktima në Çubrel të Skenderajt: Edhe pesë të lënduar, katër prej tyre zyrtarë policorë

Lajme
E quajti Ramush Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”, OVL-UÇK në Pejë i reagon Gërvallës

E quajti Ramush Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”, OVL-UÇK në Pejë i reagon Gërvallës

Lajme
Publicisti serb: Beogradi duhet të përballet me realitetin për Kosovën, iluzion të pritet një ndryshim i politikës amerikane

Publicisti serb: Beogradi duhet të përballet me realitetin për Kosovën, iluzion të pritet një ndryshim i politikës amerikane

Lajme
Zhduket veterani i UÇK-së, Zylfi Tejeci, kërkohet ndihmë nga qytetarët

Zhduket veterani i UÇK-së, Zylfi Tejeci, kërkohet ndihmë nga qytetarët

Lajme
Kurti reagon pas aksidentit me tre të vdekur në rrugën Mitrovicë-Pejë

Kurti reagon pas aksidentit me tre të vdekur në rrugën Mitrovicë-Pejë

Lajme
“Trump, mos na dërgoni te thikat e kasapit në Kabul”: Vendimi i presidentit amerikan mban të bllokuar afganët në Shqipëri

“Trump, mos na dërgoni te thikat e kasapit në Kabul”: Vendimi i presidentit amerikan mban të bllokuar afganët në Shqipëri

Lajme
Kalo në kategori