Qarqet më problematike nga zjarret, Çako: Mbi 90 për qind e rasteve nga dora e njeriut
Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Haki Çako, ka deklaruar se situata nga zjarret në Shqipëri është aktualisht e qetë, pavarësisht valës së të nxehtit ekstrem që ka përfshirë vendin.
I ftuar në edicionin informativ të mbrëmjes në A2 CNN me gazetaren Loneta Progni, Çako tha se në terren janë evidentuar 16 vatra zjarri, prej të cilave vetëm një është ende aktive.
“Kanë qenë 16 vatra dhe vetëm një prej tyre është ende aktive. Ditët e mëparshme kemi pasur situata më të rënda. Qarqet më problematike kanë qenë në Vlorë, Lezhë e Kukës,” u shpreh ai.
Çako theksoi se pjesa më e madhe e zjarreve në vend janë të shkaktuara nga faktori njeri.
“Mbi 90% e rasteve janë me faktor njeri, lidhen drejtpërdrejt me djegien e kullotave dhe daljen jashtë kontrollit. Por nuk mund të përjashtojmë edhe tendencat kriminale,” shtoi ai.
Autoritetet po mbeten në gatishmëri për të përballuar çdo situatë të mundshme, ndërsa qytetarët janë ftuar të tregojnë kujdes dhe të shmangin veprime që mund të nxisin zjarrvënie.






























