Në Bosnje dhe Hercegovinë, përkatësisht në Srebrenicë, sot është shënuar 30-vjetori i gjenocidit të kryer nga forcat serbe ndaj popullatës civile myslimane, ndërsa drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare ka arritur që vetëm disa persona t’i dënojë për këtë vepër.

Në këtë përvjetor, nga Kosova ka qëndruar në Srebrenicë një delegacion i lartë shtetëror.


Lidhur me këtë, në RTV Dukagjini ka folur politologu Adnan Qaka.

“Fatkeqësia më e madhe është që nuk ka pasur vullnet politik që të dënohet Serbia për krim e gjenocid, që në fakt nuk e ka bërë vetëm në një qytet, në Srebrenicë, por në tërësi. Duhet ta themi qartë se ajo që ka bërë Serbia në Bosnje është gjenocid i pastër”, ka thënë ai.

Sipas Qakës, padinë që Bosnja e ka formuluar, e ka bërë në mënyrë mjaft profesionale, me prova shkencore dhe me fakte të fuqishme e ekspertë të dëshmuar.

“Mirëpo, kjo ka qenë një çështje puro politike, ku është një e vërtetë që është dëshmuar edhe nga Florens Hardman, zëvendësprokurorja e Tribunalit të Hagës, që shumë dëshmi, shumë prova që i ka depozituar Bosnja në Tribunalin e Hagës – këto që kanë qenë, do të thotë, shtetet që i kanë bartur këto fakte, dokumente për Tribunalin e Hagës – edhe i kanë manipuluar, thjesht janë tjetërsuar ato dokumente, ku qëllimi i qartë ka qenë që të mos dënohet Serbia për krimin e gjenocidit”, ka thënë Qaka.