Komuna e Gjilanit ka njoftuar për fillimin e punimeve në fshatin Bresalc, ku po ndërtohet një trotuar i ri, i shoqëruar me drunj dekorativ dhe ndriçim publik.

Me këtë rast, kryetari i Komunës, Alban Hyseni, së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike Kushtrim Ibrahimi, drejtorin e Gjeodezisë dhe Kadastrës Bekim Salihu, këshilltarët komunalë Blerim Haziri dhe Besnik Shala, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë e banorë lokalë, kanë vizituar nga afër punimet në terren.


Sipas Hysenit, bëhet fjalë për një investim prej 170 mijë eurosh për ndërtimin e trotuarit në gjatësi prej 1.8 kilometrash.

“Trotuari i ri do të jetë i rrethuar me drunj dekorativ dhe i pajisur me ndriçim publik bashkëkohor, një kombinim që sjell jetë dhe qetësi në lëvizjen e përditshme të banorëve”, theksoi ai, duke shtuar se ndryshimi po bëhet në secilin fshat dhe çdo lagje të komunës. /Telegrafi/