Punëtorët e RTK-së pa paga, sindikata kërkon ndërhyrje urgjente nga Osmani

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) i ka dërguar një kërkesë zyrtare presidentes Vjosa Osmani, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për zhbllokimin e buxhetit të RTK-së.
Në shkresën drejtuar Presidencës, SPERTK njofton se RTK po përballet me kolaps financiar dhe punëtorët nuk kanë marrë pagat e tyre, gjendje kjo që po ndikon rëndë në jetën e qindra familjeve.
“Ka punonjës që nuk kanë mundësi të blejnë barnat e nevojshme, që përballen me vështirësi për ushqim, qira e pagesa bazike, dhe tashmë ndihen të harruar nga institucionet e vendit,” thuhet në letrën e SPERTK drejtuar Osmanit.
Sindikata kërkon që presidentja Osmani të përdorë kompetencat kushtetuese dhe politike për të siguruar funksionimin normal të RTK-së dhe për të parandaluar një krizë sociale të thelluar.
SPERTK thekson se ndërhyrja e menjëhershme është jetike për garantimin e informimit të qytetarëve dhe mbrojtjen e pavarësisë së institucionit publik. /Telegrafi/




















































