Ylli i Paris Saint-Germain dhe fituesi aktual i Topit të Artë, Ousmane Dembele, është pranë rikthimit në fushë pas një mungese disa-javore për shkak të një dëmtimi në kofshë.

Sipas Le Parisien, sulmuesi francez pritet të përfshihet në listën e skuadrës për ndeshjen e ardhshme të PSG-së në Ligën e Kampionëve kundër Bayer Leverkusen.


Dembele u dëmtua në fillim të shtatorit gjatë një ndeshjeje me përfaqësuesen e Francës, vetëm pak minuta pasi u fut si zëvendësues.

Ky incident shkaktoi tension mes klubit parisien dhe stafit të kombëtares franceze, për shkak të shqetësimeve rreth menaxhimit të gjendjes fizike të lojtarit.

Pas një periudhe rikuperimi dhe trajtimi të kujdesshëm, 28-vjeçari tashmë është afër gjendjes optimale dhe stafi teknik i PSG-së ka sinjalizuar se ai mund të jetë pjesë e skuadrës përballë skuadrës gjermane.

Megjithatë, burime pranë klubit theksojnë se nuk pritet që Dembele të jetë titullar në këtë përballje.

Trajneri Luis Enrique do të ndjekë një qasje të kujdesshme për të shmangur rikthimin e dëmtimit, duke e aktivizuar Dembelen në mënyrë graduale.

Spanjolli nuk dëshiron të rrezikojë me lojtarin, i cili pritet të jetë një element kyç në pjesën tjetër të sezonit.

Rikthimi i Dembeles është një lajm pozitiv për PSG-në, që synon të përforcojë repartin ofensiv në prag të sfidave të rëndësishme në kampionat dhe Ligën e Kampionëve.

Forma e tij do të jetë vendimtare në ambiciet e klubit për të shkuar sa më larg në garat evropiane. /Telegrafi/

telegrafi sport app