Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për përfundimin e këtij misioni dhe deklaratat e kryeministrit, por edhe zyrtarëve tjerë të Qeverisë sa herë që ka ndonjë ndjekje të EULEX-it për krime lufte, po vlerësohen si përpjekje të drejtpërdrejta të Qeverisë së Kosovës që ta hequr qafe misionin e BE-së për sundimin e ligjit.

Një zyrtar i lartë evropian ka thënë se shtetet anëtare që e mbështesin pavarësinë e Kosovës janë kategorike që misioni i BE-së për sundimin e ligjit t`i mbajë kompetencat ekzekutive në luftën kundër korrupsionit, por edhe në ndjekjen e krimeve të luftës.


“Qeveria po e ndërlidh dhe po përpiqet që procesin e ristrukturimit të EULEX-it ta përdorë për ta hequr qafësh misionin”, ka thënë zyrtari i BE-së.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Mustafa, thotë për “Bota sot” se nuk jemi afër që të largohet EULEX-i nga Kosova.

“Sigurisht EULEX-i nuk do të jetë këtu i përhershëm, por mendoj se ende nuk jemi aq afër kur do të duhej të largohej ky mision. Përderisa prokurorët dhe gjyqtarët tanë nuk ndjekin krimet e rënda të çfarëdo natyre. me vetiniciativë dhe guxim, do të thotë se EULEX-i na duhet”, thotë Mustafa.

Ai thotë se EULEX-i duhet të bëhet më efektiv dhe të përqendrohet në krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Analisti politik, Skënder Zogaj thotë se pasi tash situata në Kosovë konsiderohet stabile EULEX-i do të fillojë angazhimin edhe në dosjet e veçanta, që kanë të bëjnë me grupet apo individët e lartë.

“Ftohja dhe ndryshimi i qëndrimit ndaj EULEX-it po ndodh, sepse tash EULEX ka filluar të merret me çështjet dhe problemet e thella, të krimeve te rënda, të cilat nuk janë trajtuar, por janë mbajtur të heshtura për arsye të ndashmërisë së situatës dhe të proceseve zhvillimore ne drejtim të stabilizimit të situatës në Kosovë. Mirëpo, tash kur situata brenda Kosovës konsiderohet stabile, domosdo që fillon angazhimi ndërkombëtar për depërtim edhe në 'dosjet e veçanta' të ndodhive dhe veprave që kanë të bëjnë me grupet dhe individët e krimeve te larta, të cilat duhet të zbardhen, sepse paraqesin rrezik për te ardhmen e Kosovës. Angazhimi i EULEX-it dhe hapja e proceseve, siç është rasti Bllaca dhe së fundit 'Grupi i Drenicës' ka prekur dhe shqetësuar të gjitha futjet e qarqeve te inkriminuara, të cilat tash janë shqetësuar, sepse po e shohin se asgjë nuk është harruar dhe se të gjithë keqbërësit duhet të 'lahen' dhe të 'krihen' nga drejtësia, kështu që ka ndryshuar raporti ndaj EULEX-it dhe domosdo që të tillët shpëtimin e shohin tek dëbimi i EULEX-it”, thotë Zogaj.

Ai thotë se është për keqardhje kërkesa e dëbimit të ndërkombëtarëve nga Kosova, pasi EULEX-i është shtylla e shtetësisë së Kosovës.

Kurse, eksperti i sigurisë Avni Islami thotë se përpjekjet e Qeverisë për ta larguar EULEX-in nga Kosova janë të arsyeshme pasi vetë i kanë thirrur për t’i ndihmuar rreth sundimit të rendit dhe ligjit.

“Misioni i EULEX-it në Kosovë është pritur me vetëdëshirë nga institucionet e Kosovës por edhe nga vetë qytetarët duke pas parasysh se opinionet e përgjithshme ishin se ky mision do të ishte i paanshëm në kryerjen e detyrave të tijë për të cilat ishte thirrur. Përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për t’ia heq kompetencat ekzekutive EULEX-it janë të padrejta për arsye se ata vetë i kanë thirrur për t'i ndihmuar për të qitur në binar sundimin e rendit dhe ligjit”, thotë Islami.

Ai thotë se EULEX-i len vend për dyshuar, sepse nuk po merret me krimin e organizuar dhe korrupsionin, por vetëm me krimet e luftës dhe degradimin e UÇK-së.

Misioni i EULEX-it pritet që, pas autorizimit që do të marrë në janar nga shtetet anëtare, të nisë ndryshimin e prezencës së vet. /Bota Sot/