Pete Hegseth ka ndarë një përditësim mbi atë që SHBA-ja di për gjendjen shëndetësore të udhëheqësit të ri suprem të Iranit, Mojtaba Hosseini Khamenei.

“Ne e dimë se i ashtuquajturi udhëheqës i ri, jo edhe aq suprem, është i plagosur dhe ka shumë gjasa i shpërfytyruar”, tha Sekretari amerikan i Luftës.


Khamenei, i cili u emërua për të pasuar babanë e tij, publikoi deklaratën e tij të parë dje, por nuk u shfaq personalisht dhe nuk e lexoi vetë atë.

Hegseth e quajti deklaratën “të dobët. Nuk pati zë dhe nuk pati video. Ishte një deklaratë e shkruar”.

“Irani ka shumë kamera dhe shumë regjistrues zëri. Pse një deklaratë e shkruar? Mendoj se e dini pse. Babai i tij ka vdekur. Ai është i frikësuar; është i plagosur; është në arrati dhe i mungon legjitimiteti. Për ta është një rrëmujë. Kush është në krye? Irani mund të mos e dijë as vetë. Me çdo orë që kalon, ne e dimë dhe ata e dinë se kapacitetet ushtarake të regjimit të tyre të keq po shemben”, pohoi ai.

Një raport i inteligjencës izraelite tha se Khamenei ishte plagosur lehtë në ditën kur babai i tij u vra në një sulm ajror në orët e para të luftës.

Yousef Pezeshkian, djali i presidentit të Iranit, Masoud Pezeshkian, ka thënë se miqtë i kanë treguar se 56-vjeçari ishte lënduar, por është “i shëndetshëm dhe nuk ka asnjë problem”. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com