Nga: Neil Armstrong / BBC
Përkthimi: Telegrfi.com

Në një mbrëmje korriku të vitit 1575, Mbretëresha Elizabeta I [Queen Elizabeth I], 41 vjeçe, mbërriti në Kështjellën Keniluorth në Uorikshir të Mbretërisë së Bashkuar, për atë që do të ishte vizita e saj më e gjatë dhe e fundit. Në vitin 1563 ajo ia kishte dhuruar kështjellën Robert Dadlit [Robert Dudley], dhe një vit më vonë atij ia kishte dhënë titullin Kont [Earl] i Lesterit. Dadli ishte më i preferuari i Mbretëreshës dhe besohet se ata kishin qenë miq që në fëmijëri. Natyra e saktë e marrëdhënies së tyre të ngushtë ishte subjekt i shumë thashethemeve.


Para mbërritjes së Mbretëreshës së pamartuar, Dadli ia kishte bërë kalasë madhështore një rinovim të madh. Ishin ndërtuar godina të reja, ishte krijuar një kopsht i ri dhe prona ishte rregulluar. Ndërkaq, konti nuk kurseu asgjë për të ofruar një argëtim të jashtëzakonshëm në formën e muzikës, vallëzimit, akrobacive, fishekzjarrëve spektakolarë dhe pjesëve dramatike të luajtura nga aktorët me kostume. Në liqenin e madh përreth kalasë ishte një ishull lëvizës i banuar nga “Zonja e Liqenit”. Kishte gjithashtu një delfin 7.3 metra të gjatë - që fshihte muzikantët - dhe një sirenë notuese 5.5 metra të gjatë.

Për asnjë shpenzim nuk u kursye. Dadlit i kushtonte një mijë paundë dita - miliona në vlerën e sotme të parasë - dhe gjithë kjo ekstravagancë është interpretuar si një shfaqje e rafinuar dhe e kushtueshme e personit që i vardisej kreut të oborrit mbretëror; ekuivalenti i klasës sunduese të shekullit XVI me marrjen me qira të një aeroplani që mban pankartën “Martohu me mua”. “Festimet e vitit 1575 ishin një përpjekje për të joshur Elizabetën - martesa ishte temë në disa nga ngjarjet”, i thotë BBC-së, Jeremy Ashbee, kurator i pronave pranë Trashëgimisë Angleze [English Heritage]. “Dr. Elizabeth Goldring, e cila ka bërë një studim të detajuar për Lord Lesterin, e ka cilësuar këtë si ‘hedhja e fundit e zareve’”.

Duket se basti i Dadlit po shkonte mbarë, por më pas gjithçka ndryshoi. Kulmi i vizitës ishte një maskaradë - ose performancë - të mërkurën më 20 korrik. Ajo nuk u mbajt. Ishte thjesht çështje e motit të keq që e pengoi ngjarjen, siç thotë versioni zyrtar? Apo mos vallë monarkja kishte marrë vesh për përmbajtjen dhe ishte zemëruar? Maskarada paraqiste Dianën, perëndeshën e dëlirësisë, në kërkim të nimfës së dëlirë me qëllim quhej Zabeta - një variant i emrit Elizabetë.

Shfaqja do të përfundonte me një lajmëtar të Junos, perëndeshës së martesës, që i drejtohej drejtpërdrejt Elizabetës duke e lutur të mos ndiqte rrugën e Dianës, por që të martohej. Dadli kishte njëfarë lirie me Mbretëreshën, por ndoshta ky marifet kishte shkuar shumë larg. Cilado qoftë arsyeja, maskarada nuk u mbajt dhe festimet përfunduan. Mbretëresha qëndroi në dhomat e veta, edhe për disa ditë, përpara se të largohej më 27 korrik.

Sot, artistja Lindsey Mendick ka shënuar 450-vjetorin e vizitës duke krijuar Dashurinë Obsesive [Wicked Game] - një instalacion të madh skulpturor në kështjellë. Dashuria Obsesive frymëzohet nga mitologjia e lashtë, si dhe nga ngjarjet e vizitës së Elizabetës dhe nga mënyra se si ajo e përdori statusin e saj, si e pamartuar, në manovrat e zgjuara politike gjatë sundimit të saj 45-vjeçar. Ka 13 tablo të ndryshme. Disa janë të errëta, të tjerat janë të mbushura me humor të zi. Skulpturat qeramike të copëtuara paraqesin në mënyrë interesante Mbretëreshën dhe njerëzit përreth saj si kafshë. Në pjesën qendrore, Elizabeta është një luaneshë dhe Dadli është një ari. Tablotë janë vendosur mbi pjesë të një tabele gjigante të shpërthyer shahu.

“Të luash shah është analogjia perfekte për atë që Elizabeta duhej të bënte për të mbijetuar”, ka thënë Mendick për BBC-në. “Mendoj se ajo është jashtëzakonisht interesante dhe një mënyrë e shkëlqyer për të parë se si i trajtojmë gratë sot. Kjo ngjarje [të cilën Dadli e planifikoi] në Keniluorth ishte menduar të ishte një festë madhështore për Elizabetën; duhej të ishte e shthurur dhe e kënaqshme. Por, në të njëjtën kohë ishte e ngarkuar me diçka tjetër. Për gratë e fuqishme si Elizabeta, refuzimi për t’u martuar apo për të pasur fëmijë ishte një akt radikal i vetëmbrojtjes dhe i autonomisë”.

Elizabeta I, vajza e Henrit VIII [Henry VIII], është e vetmja mbretëreshë angleze që nuk është martuar kurrë. Ajo erdhi në pushtet në vitin 1558, në moshën 25-vjeçare, duke trashëguar problemet fetare, politike dhe financiare nga dy paraardhësit e saj: gjysmëvëllai i saj, Eduardi VI (1537-1553), dhe gjysmëmotra e saj, Maria I (1516-1558).

Këshilltarët dhe anëtarët e Parlamentit e nxisnin vazhdimisht që të martohej për të mbrojtur sigurinë e Anglisë. Një grua që sundon e vetme? E paimagjinueshme. Besohej se një mbretëreshë duhej të martohej, jo vetëm për të prodhuar një trashëgimtar mashkull dhe për të shmangur konfliktet e trashëgimisë, por edhe që burri të mund të merrte përsipër çështjet politike dhe ushtarake. Lutjet për martesë bëheshin vazhdimisht dhe kandidatët e shumtë për martesë u sugjeruan ose e sugjeruan veten. Elizabeta i shmangu, i zmbrapsi dhe vazhdimisht i refuzoi. Pse?

Është krejtësisht e mundur që ajo e shihte si të padurueshme idenë për t’iu bindur apo për t’iu nënshtruar një burri - cilitdo burrë. Në fund të fundit, ajo ishte shumë e arsimuar (kishte mësuar pesë gjuhë - frëngjisht, italisht, spanjisht, latinisht dhe gjuhën flamane - dhe kishte studiuar historinë dhe retorikën), shumë inteligjente, krenare dhe e zjarrtë. Thuhet se ka deklaruar: “Këtu do të ketë vetëm një zonjë dhe asnjë padron”.

Gjithashtu, Elizabeta e dinte që një grua mund të qeveriste për mrekulli edhe pa pasur një burrë mbi kokë. Në verën e vitit 1544, në pallatin Hempton Kort ajo pa nga afër gruan e gjashtë të Henrit, Katerinë Parin [Catherine Parr], duke sunduar me autoritet të plotë ndërkohë që mbreti ishte në fushatë në Francë. Katerina ishte regjente shumë e zonja dhe duket se Elizabeta u ndikua thellësisht nga pamja e njerkës së saj duke ushtruar pushtet dhe duke pranuar, si të merituar, përulësinë e ministrave dhe oborrtarëve të fuqishëm meshkuj.

Përveç kësaj, familja e saj e afërt nuk i kishte ofruar asnjë shembull të gëzimeve në martesë. Babai i saj e kishte arrestuar nënën e saj, Ana Bolenën [Anne Boleyn], me akuza të fabrikuara për tradhti bashkëshortore dhe komplot dhe, më pas, në mënyrë tronditëse e kishte ekzekutuar me prerje koke - kur Elizabeta ishte vetëm tri vjeçe. Një nga skulpturat e Mendickut është një interpretim i këtij ekzekutimi, që e paraqet Anën si një dhelpër të gjunjëzuar që lutet përpara xhelatit i cili shfaqet si një qen i tërbuar.

Disa komentues kanë sugjeruar se Elizabeta mund të ketë pasur frikë nga seksi. Alison Weir, për shembull, në librin e saj Mbretëresha Elizabetë [Elizabeth, the Queen], hamendet nëse monarkja “mund të ketë krijuar barazimin se marrëdhënia seksuale lidhej në mënyrë të pandashme me vdekjen”. Seriali i BBC-së nga viti 2005, Mbretëresha e Virgjër [The Virgin Queen] e paraqiti si “një monarke të tmerruar nga seksi”, sipas [ditores] The Telegraph. Paula Milne, e cila shkroi skenarin, i tha gazetës në atë kohë: “Nëse do të më kërkonin të shkruaja një vepër për një grua bashkëkohore, nëna e së cilës ishte vrarë nga i ati, pritej që të shqyrtoja ndikimin psikologjik”.

Në fakt, Elizabeta e pëlqente shoqërinë e burrave të pashëm dhe dinte të ishte flirtuese me ta. Megjithatë, ajo kishte plot arsye për të pasur frikë nga shtatzënia dhe lindja. Në epokën e Tudorëve, lindja ishte një proces me rrezik shumë të lartë. Xhejn Simor [Jane Seymour], gruaja e tretë e Henrit VIII, vdiq gjatë lindjes; Katerina Par vdiq nga një sëmundje - pak pas lindjes, ashtu si edhe gjyshja e Elizabetës, Elizabeta e Jorkut [Elizabeth of York].

Por, përveç arsyeve personale, kishte edhe arsye politike për të mos u martuar. Ruajtja e vendit nga ndikimi i fuqive të huaja mund të jetë marrë parasysh. Gjithashtu, mundësia e Elizabetës në martesë mund të kishte forcuar pozicionin e saj negociues në marrëdhëniet me Francën, Spanjën dhe shtetet e tjera. Nga ana tjetër, po të martohej me një fisnik anglez - dhe Dadli mund të kishte qenë një mundësi, po të mos kishte ndodhur vdekja e dyshimtë e gruas së tij, Emi Robsart [Amy Robsart] në vitin 1560 - ajo automatikisht do të kishte përçarë fisnikërinë angleze duke favorizuar një palë dhe duke anashkaluar të tjerët.

Kështu, ajo i mbajti të gjithë në pritje dhe hamendje. Duket se kishte një ndjeshmëri të lindur për atë që sot quajmë marrëdhënie me publikun dhe i pëlqente të paraqitej si e përkushtuar plotësisht ndaj mbretërisë së saj. Që në fillimet e mbretërimit, ajo kultivoi imazhin e Mbretëreshës së Virgjër. Në vitin 1559, në përgjigje të kërkesave të oborrtarëve që të martohej, ajo deklaroi se, në fund, “një gur mermeri do të dëshmojë se një mbretëreshë që ka sunduar për aq kohë, jetoi dhe vdiq e virgjër”. Në fund të filmit shumë të pëlqyer të Shekhar Kapurit, nga viti 1998, Elizabeta [Elizabeth], aktorja Cate Blanchett luan rolin e monarkes së re dhe e shfaq atë duke u transformuar me vetëdije në Mbretëreshën e Virgjër. E veshur tërësisht në të bardha, ajo i shfaqet oborrit të saj të habitur duke shpallur: “Jam e martuar ... me Anglinë”.

Filmi i Kapurit luan lirshëm me faktet historike, por ky dialog pasqyron një deklaratë të vërtetë të Mbretëreshës, të bërë në vitin 1559, ku ajo tha se nuk do të martohej sepse ishte “tashmë e lidhur me një bashkëshort, që është Mbretëria e Anglisë”. Motra e saj, Maria I - e njohur ndryshe si Maria e Përgjakshme [Bloody Mary] - kishte pretenduar diçka të ngjashme, por më pas u martua me Filipin II të Spanjës [Felipe II de España].

Vendimi i Elizabetës për të mos u martuar ka qenë element kyç në paraqitjet e saj në kulturën popullore. Lidhja midis seksit dhe vdekjes u paraqit qartë në serialin e BBC-së të vitit 1971 Mbretëresha Elizabetë [Elizabeth R], fitues i disa çmimeve “Emmy”. Në episodin e parë, Elizabeta - e interpretuar nga Glenda Jackson - thotë: “Nuk i kam besuar asnjë burri që nga dita kur isha tetë vjeçe dhe mbretëresha Karerinë Hauard [Catherine Howard, gruaja e pestë e Henrit - e ekzekutuar] vrapoi duke bërtitur përgjatë galerive të pallatit për t’iu lutur të madhit Henri ... Nga çdo anë, burrat e kishin tradhtuar ... Së pari është besimi, pastaj pasioni, pastaj vdekja”.

Elizabeta e karikaturuar nga Miranda Richardson, që shfaqet në sezonin e dytë të sitkomit të njohur Nepërka e zezë [Blackadder], komenton në episodin e parë: “Duket se të gjithë martohen, përveç meje”. Por, në seri, ajo e përdor premtimin për martesë për të manipuluar Nepërkën e Zezë, dhe të tjerët, duke i detyruar të bëjnë atë që ajo dëshiron.

A ia kishte lejuar vallë Elizabeta e vërtetë Dadlit të mendonte se ai e kishte një shans? Dhe, çfarë domethënie kishte vizita në Keniluorth për marrëdhënien e tyre? “Nuk besoj se ai u ndje i poshtëruar nga refuzimi i propozimit të tij”, thotë Jeremy Ashbee. “Ai ishte i kënaqur që një përshkrim zyrtar i festimeve u publikua menjëherë më pas dhe, në testamentin e tij, kërkoi që kështjella të mbetej pikërisht ashtu siç kishte qenë. Kam ndjesinë se ai e konsideronte vitin 1575 si ‘çastin e tij më të lavdishëm’. Sigurisht, pas atij viti nuk u tërhoq në heshtje nga jeta publike”.

Elizabeta u zemërua shumë me Dadlin kur ai u martua me Letisë Nolisin [Lettice Knollys] në vitin 1578 - por, më vonë e fali. Kur ai vdiq, në vitin 1588, ajo u mbyll në dhomën e saj për aq kohë sa këshilltari i saj kryesor urdhëroi që dyert të hapeshin me forcë. Dhe, kur Elizabeta vdiq në vitin 1603, në një kuti pranë shtratit të saj u gjet një shënim që Dadli i kishte dërguar pak para vdekjes. Ajo kishte shkruar mbi të: “Letra e tij e fundit”. /Telegrafi/