LAJMI I FUNDIT:

Pse duhet ta kuptojmë më mirë islamin dhe historinë e tij?

Pse duhet ta kuptojmë më mirë islamin dhe historinë e tij?
Ilustrim (pamje nga kopertina e librit “The House Divided: Sunni, Shia and the Making of the Middle East”)

Nga: Camilla Cassidy / The Telegraph

Në fillim të librit të Barnaby Rogersonit për “krijimin e Lindjes së Mesme”, ai na e rrëfen një histori nga rinia e vet. Duke udhëtuar nëpër shkretëtirë, natën zbret nga një autobus në një qytet-oazë, meqë e tërheqin “dritat e ndritshme, këngët dhe energjia e një projekti të ndërtimit në mesnatë”. Dy ekipe të burrave po punonin së bashku – ndonëse në një konkurrencë të shëndetshme – për ta ndërtuar një xhami nën freskinë e natës. Njëri prej pjesëmarrësve i thotë – “me krenari, me dashuri” – se ndërtimi tërësisht është paguar nga donacionet e bamirësisë. Rogerson shikon me shpërfillje.

Kjo anekdotë e ofron një imazh të përshtatshëm të Shtëpisë së ndarë [The House Divided: Sunni, Shia and the Making of the Middle East], një histori që me entuziazëm tregohet nga një udhëtar i cili librin ua dedikon lexuesve që – pos asaj që kanë parë në lajmet televizive – dinë shumë pak për Lindjen e Mesme. Nuk është e lehtë të themi se doli “në kohën e duhur” – duke pasur parasysh ngjarjet e fundit; sepse, siç tregon Rogerson, historia e tillë ka qenë për shekuj të tërë kështu. Ne, në Perëndim, duhet ta kuptojmë më mirë Lindjen e Mesme. Ky libër nuk kërkon të mbash anë apo të nxjerrësh përfundime të thjeshta, por ka imagjinatë, ndjeshmëri dhe gatishmëri për të të mësuar.


Skena e ndërtimit të xhamisë rezonon me një episod nga vitet e hershme të islamit. I persekutuar në Mekë, Profeti i ardhshëm dhe pasuesit e tij u larguan për në Medinë më 16 qershor 622 – në ditën e parë të epokës myslimane. Në Medinë, Muhamedi zgjodhi si strehë një oborr që ishte përdorur për ruajtjen e hurmave; kjo ndërtesë e thjeshtë do të bëhej shtëpia e tij dhe xhamia e parë e islamit. Për shtatë muaj, bashkësia myslimane – ensarët (“ndihmuesit”) nga Medina dhe muhaxhirët (“emigrantët”) nga Meka – e ndërtuan së bashku këtë strukturë. Kjo është historia që ndërtuesit e mëvonshëm të Rogersonit me vetëdije e rikrijojnë me dy ekipet e veta. Historia, argumenton Rogersoni, është forcë e gjallë në botën myslimane.

“Shpeshherë kam menduar për këtë shtëpi”, thotë Rogerson. E paramendon si një vend përplot me gjallëri, të mbushur me njerëz dhe me kafshë. Në një histori të rrëfyer, Muhamedi ngrihet para agimit për t’u përgatitur për lutjet e para të ditës, por preu mëngët për të mos e shqetësuar macen e tij që flinte [te krahët e ti], Muezën. E para “shtëpia-xhami” – shkruan Rogerson – e krijoi hapësirën “ku politika, feja, miqtë dhe familja u bashkuan”: e quan si “shtëpia e pandarë”. Kjo nuk do të zgjaste shumë.

Ndarja e parë vendimtare, siç shpjegon Rogersoni, erdhi për çështjen e trashëgimisë së Muhamedit. Për shiitët, Aliu – kushëriri i Muhamedit – ishte pasardhësi i tij i emëruar, “i sanksionuar nga e njëjta frymë hyjnore që Kuranin ia kishte shpallur Profetit”. Në vend të kësaj, shokët e Muhamedit, Abu Bekri dhe Omari, organizuan një “grusht shteti” në kohën kur Aliu ishte i preokupuar me organizimet e varrimit. Pasoi “sundimi tokësor i kalifëve” (duke filluar me Ebu Bekrin, të cilin Omari e pasoi) të cilët “u treguan udhëheqës të suksesshëm politikë”. Për sunitët, këto ngjarje ishin të favorshme dhe e unifikuan një komunitet pa ndonjë udhëheqës. Katërmbëdhjetë shekuj më vonë, këto dy fraksione udhëhiqen nga Arabia Saudite sunite në njërën anë, si dhe nga Irani shiit në anën tjetër – të karakterizuara këtu si “mbretër arabë të veshur me kefije” dhe si “ajatollahë me çallmë të zezë”.

Megjithatë, dallimet teologjike janë thjesht një faktor në tensionet moderne të Lindjes së Mesme. “A është me të vërtetë çështje qendrore kjo ndarje e besimit mes islamit sunit dhe shiit”, pyet Rogerson, “apo është një vello nën të cilën luftohen lojërat e tjera të pushtetit – si krijimi i shteteve kombëtare dhe ideologjive politike”? Lufta civile siriane, për shembull, mund të lexohet si “një rast klasik i shiitëve kundër sunitëve”, me Hezbollahun shiit, regjimin e Assadit dhe Gardën Revolucionare iraniane në njërën anë, dhe me kombet sunite – si Arabia Saudite – nga ana tjetër. Por, thotë Rogerson, “gërmoni pak më thellë” dhe shfaqen antagonizmat midis aleatëve te të dyja palët, jo më pak edhe një histori rivaliteti midis Arabisë Saudite dhe Turqisë.

Mosmarrëveshja ndërmjet interpretimeve sunite dhe shiite të islamit është ajo ku fillon Shtëpia e ndarë dhe ku pyetja rikthehet; por, shtrihet më gjerësisht. Rogersoni reflekton, për shembull, mbi rolin që ka luajtur ndryshimi i klimës në rajon. ISIS-i, shpjegon ai, gjeti mbështetje në Siri jo sepse ideologjia ekstremiste e së parës rrjedh larg nga islami sunit dhe se i dyti është nga shumica shiia, por sepse thatësira i kishte bërë njerëzit më të dëshpëruar; Anwar Sadati, president i Egjiptit nga viti 1970 deri në 1981, citohet të ketë thënë se “e vetmja gjë që mund ta çojë Egjiptin përsëri në luftë – është uji”, duke u bërë Nili një fushëbeteje për shtetet – përfshirë Egjiptin dhe Sudanin, të cilët varen prej tij.

Në fakt, Shtëpia e ndarë shpaloset gjatë rrjedhës së shekujve dhe nëpër histori të veçanta kombëtare, por të ndërthurura. Është udhëtim marramendës. Perandoritë dhe aleancat formohen dhe bien; janë shpeshherë tronditëse, të pamatura dhe çnjerëzore ndërhyrjet nga Britania, Franca, Rusia dhe Amerika; aleatët manipulohen dhe përjashtohen; hartat rivizatohen rreth interesave strategjike. Vendimin e Britanisë për ta “evakuuar Palestinën më 1948”, Rogersoni e dënon si “papërgjegjësi kriminale”: kur ata u tërhoqën, i lanë “të dy komunitetet për të luftuar për të”. Pasojat e padëshiruara ndizen në të gjitha drejtimet.

Është e fuqishme shtrirja e gjerë e librit të Rogersonit. Në mënyrë të pashmangshme sakrifikon detajet për pamjen e madhe, por në pjesën më të madhe duket se është në përputhje me qëllimin për ta hapur një dritare për të painformuarit. Megjithatë, edhe pse themi kështu, duke iu afruar ditës së sotme kjo qasje e tij fillon të ndihet si shumë e mangët dhe rezulton me disa momente të çuditshme. Vrasja dhe copëtimi i viti 2018 – i sponsorizuar nga shteti saudit – i gazetarit Jamal Khashoggi, përshkruhet si “jo edhe aq tronditëse” duke pasur parasysh prejardhjen e tij familjare si bir i një tregtari të armëve dhe si njeri i regjimit. Dhe, çuditërisht, libri përfundon duke e këshilluar Kinën, si partner gjithnjë e më i rëndësishëm tregtar në Lindjen e Mesme, që aleatëve të rinj të mos u “mbajë ligjërata” mbi “lirinë, transparencën dhe drejtësinë” ose për “demokracinë dhe liritë e tjera liberale”. Shtëpia e ndarë është libër i pasur dhe zbulues me të cilin mund të filloni ta zbuloni kompleksitetin dhe rëndësinë bashkëkohore të historisë së Lindjes së Mesme; por, në disa vende, shkurtësia e tij do të thotë se nuk është vendi ku përfundimisht duhet të ndaleni. /Telegrafi/