LAJMI I FUNDIT:

Pse “Baby Reindeer” nuk i meriton çmimet Emmy?

Pse “Baby Reindeer” nuk i meriton çmimet Emmy?
Richard Gadd në “Baby Reindeer”

Nga: Marianka Swain / The Daily Telegraph
Përkthimi (i pjesshëm): Telegrafi.com

Votuesit për çmimet vjetore Primetime Emmy, nuk janë bash të njohur për gjykimin e kthjellët. Emmy vazhdoi ta emëronte serialin Modern Family si komedinë më të mirë televizive, shumë vite pasi kishte pushuar së qeni qesharak, dhe çuditërisht kishte ngecur te Game of Thrones si drama më e mirë, edhe pse zhytej në komplote absurde të përforcuara nga paraqitjet e rastësishme të një dragoi të krijuar me kompjuter.

Por, viti 2024 mund të jetë viti më famëkeq për çmimet Emmy, falë vlerësimit për një shfaqje kontroverse: Baby Reindeer i Netflix-it i cili ka marrë 11 nominime të pabesueshme – pavarësisht se drama nxiti disa çështje urgjente në Parlament, një proces gjyqësor që është në pritje edhe dënimin e gjerë të politikave të pajtueshmërisë së transmetuesit.


Megjithatë, duke i dhënë Baby Reindeer-it një miratim kaq të madh, organi i çmimeve ka treguar të njëjtin gjykim të turbullt moral si Netflix-i dhe krijuesi i serialit.

Baby Reindeer filloi si shfaqje në Festivalin e Edinburgut më 2019. Stendupin e vet skocezi Richard Gadd e bazoi në përvojën e tmerrshme të përndjekjes nga një grua, nga Martha, ndërsa përpiqej të kishte karrierë në komedi. Netflix-i e porositi përshtatjen për ekran, e cila në prill u shfaq në platformë dhe shpejt u bë hit i befasishëm – por, po aq shpejt temë për kritika.

Drama paraprihet nga thënia “Kjo është një histori e vërtetë” – jo “e bazuar në”, “frymëzuar nga” apo ndonjë gjuhë tjetër më e butë. Kjo i inkurajoi kërkuesit e informatave në internet që të gjejnë njerëzit e vërtetë të përshkruar nga Gaddi, kryesisht përndjekësen e tij të akuzuar dhe drejtuesin e suksesshëm të TV-së, “Darrien”, për të cilin pretendonte se e ka abuzuar seksualisht.

Gadd më pas iu lut shikuesve që thjesht ta shijonin Baby Reindeer-in “si vepër arti”, meqë njerëzit të cilët ai i njihte tashti ngatërroheshin “në mënyrë të padrejtë nga spekulimet” (në të vërtetë, skenaristi dhe regjisori Sean Foley, për të cilin disa gabimisht menduan se mund të jetë Darrieni i vërtetë, u detyrua të kontaktojë policinë e Uest-Midlandsit për të raportuar postimet shpifëse dhe kërcënuese në mediat sociale). Por, ishte pak si vonë.

Richard Gadd dhe Jessica Gunning në serialin Baby Reindeer

Në maj, një grua skoceze e quajtur Fiona Harvey i tha Piers Morganit në një intervistë televizive se ajo ishte frymëzimi për personazhin e Marthas së Gaddit, por i sfidoi elementët kryesorë të portretizimit të tij, si ato p. sh. se ia kishte dërguar atij 41 mijë emaile dhe se kishte shkuar në shtëpinë e tij. Harvey më pas e paditi Netflix-in për 170 milionë dollarë (156.22 milionë euro) për shpifje, shkaktim të qëllimshëm të shqetësimit emocional, neglizhencë, neglizhencë të rëndë dhe shkelje të së drejtës së saj për publicitet. Ajo e akuzoi transmetuesin se po përhapte “gënjeshtra brutale” për të. Rasti është në proces. Një zëdhënës i Netflix-it tha: “Synojmë ta mbrojmë këtë çështje me forcë dhe të qëndrojmë në të drejtën e Richard Gaddit për të treguar historinë e vet”.

Kjo dramë e vazhdueshme madje ka arritur në Parlament. Shefi i politikave në Netflix, Benjamin King, në maj dha dëshmi në Komitetin e Kulturës, të Medias dhe Sportit, duke pretenduar se kompania dhe producenti në Clerkenwell Films ka marrë “çdo masë të arsyeshme paraprake për të maskuar identitetet e jetës reale të njerëzve të përfshirë në atë histori”.

King e dha gjithashtu këtë deklaratë mjaft të rëndë: “Personalisht nuk ndihem rehat me botën në të cilën përcaktohet se është më mirë që Richard [Gadd] të heshtet dhe të mos lejohet të tregojë historinë”.

Më duket si deklaratë thellësisht e pasinqertë për ngjarjet. Nuk duhet të paraqitet si një/ose – ka mënyra për ta bërë një dramë të përgjegjshme të bazuar në ngjarje të vërteta, pa e pështjelluar një viktimë të supozuar.

Fiona Harvey në emisionin e Piers Morganit

Ndoshta Netflix-i nuk e priste që Baby Reindeer të ishte hit kaq i madh, dhe kështu mendoi se askush nuk do t’i bënte këto pyetje – ose ndoshta e mirëpritën skandalin, pasi në qendër të vëmendjes e mbajti serialin duke rritur numrin edhe ashtu të konsiderueshëm të shikuesve (në prill, Baby Reindeer kishte 22 milionë shikues dhe 87.4 milionë orë të shikuara).

Tashti, çmimet Emmy i kanë peshuar gjërat – dhe kanë vendosur të injorojnë gjithë këtë polemikë.

Megjithatë, pyetja kryesore është: a i meriton në të vërtetë Baby Reindeer 11 nominimet dhe potencialisht një numër të trofeve?

Nëse po, kjo përbën precedent alarmues. Skenaristët dhe producentët e tjerë tani me siguri do të mendojnë se edhe ata mund të jenë shumë më pak të kujdesshëm në lidhje me mbrojtjen. Harvey pretendon, për shembull, se Netflix-i nuk arriti të mbronte identitetin e vet dhe nuk i tha asaj se seriali do të transmetohet.

Mund të keni qasje të tillë, diçka që është demonstruar nga çmimet Emmy, dhe ende të fitoni në Holivud. /Telegrafi/