Marcel Duchamp në intervistë me Francis Roberts-in / ARTnews (dhjetor, 1968)
Përktheu: Enxhi Hudhri / Gazeta “ExLibris”
Duke vizituar retrospektivën e tij formale në Pasadena në 1963, foli për Nudon e tij famëkeqe, Xhamin-in e famshëm, Ready-made dhe anti-logjikën e shansit logjik. Arrita herët te Pasadena Art Museum ku Marcel Duchamp ishte subjekti i një ekspozite të madhe (në tetor-nëntor, 1963). Drejtori i muzeut më çoi te galeria e pasme ku artisti ishte i ulur te një tavolinë shahu pranë Xhami i madh duke luajtur me një vajzë me flokë të errëta, nudo, ndërkohë që një djalë me mjekër u bënte fotografi njëri pas tjetrit. Duchamp kishte veshur një këmishë blu verore dhe një kollare me ngjyrë jo-kromatike në nuancat e të kuqes. Po mbante një kapelë elegante kashte me një rrip me lule. Nga mënyra si e përdorte kapelën për të bërë gjeste, pata përshtypjen se s’ishte mësuar me të. E mora me mend se nga formaliteti i rastit (retrospektiva e tij e parë formale), kishte bërë lëshimin për t’ia shtuar kostumit të tij. Foli me një theks të lehtë në tone të ulëta e të buta dhe fraza të artikuluara mirë. Më vonë, kur iu kërkua të ngrinte zërin për mikrofronin, vërejti se fliste butësisht që të ruante fuqinë për idetë e tij.
Roberts: Cilën vepër e mendoni si kontributin tuaj të parë të vërtet në pikturë?
Duchamp: Që t’i përgjigjem kësaj duhet në fillim të shkoj pas e pastaj përpara. Në atë kohë lëvizja në art, mocioni në art, nuk ishin shfrytëzuar kurrë. Rodin-i bëri një burrë duke ecur, por ai burrë nuk po ecte, në fakt. Qëllimi ishte të ecte, por nuk ecte. Me fjalë të tjera, të prezantoje një lëvizje, lëvizjen aktuale në një vepër arti, nuk ishte menduar kurrë më parë. Dhe futuristët e menduan. Edhe unë në të njëjtën kohë… ishte në ajër për shkak të shpikjes së filmave, të kinemasë.
Roberts: Po i referoheni filmit të vogël, Entr’acte, që keni bërë me René Clair, Erik Satie, Man Ray dhe Francis Picabia?
Duchamp: Kinemaja nuk më ka interesuar kurrë si artist. Ai film i vogël i quajtur Kinemaja Anemike është i vetmi që kam bërë. Isha i interesuar në filma si mjet për të shprehur një dimension [tjetër]. Si me disqet lëvizëse optike me të cilat eksperimentova me Man Ray në studion time në New York dhe në studion e tij në Paris.
Roberts: Nuk u intriguat nga mendimi se me kinemanë spektatori qëndron pa lëvizur teksa vazhdon koha?
Duchamp: Po, po, ka një pashmangshmëri për kohën, por nuk duhet të jesh artist që ta ndiesh. Si janë fjalët e poetit, “Nga pas meje dëgjoj gjithmon’, Karrocën me krahë të kohës që pranë nxiton…?” Është tepër e thjeshtë. Mund të vdes nesër. Nuk më shqetëson. Por eksperimentet e Muybridge dhe Marey në atë kohë më kanë interesuar. Fotokronografi e quanin; burri i skermës ose kali që galopon prezantuar në imazhe në vazhdimësi. Këto fotokronografi më dhanë idenë se si të fus lëvizjen në një pikturë, si, për shembull, Nu descendant un escalier.
Nudo duke zbritur një shkallë
Roberts: Dhe e konsideroni Nudo duke zbritur një shkallë si kontributin tuaj të parë?
Duchamp: Dhe ishte vërtet prezantimi i lëvizjes per se si motiv për të pikturuar. E konsiderova arritje të vërtetë. Arritje argëtuese të paktën.
Roberts: Frymëzimi juaj orgjinal për Nudon, pra, ishte më shumë ideatike se sa vizuale.
Duchamp: “Ideatike,” çfarë është kjo? Është fjalë?
Roberts: Nuk e di nëse është. Mendoj se e shpika, por do të thotë…
Duchamp: E di se çfarë do të thotë. Më pëlqen. Është fjalë e mirë. Por për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, përpara Nudos pikturat e mia ishin vizuale. Më pas ishin ideatike…
Dora ime m’u bë armike në 1912. Doja të largohesha nga paleta. Ky kapitull i jetës sime kishte përfunduar dhe mendova të shpik një mënyrë tjetër për t’iu qasur pikturës. Kjo erdhi me Xhamin e madh.
Roberts: Pse u ndiet të detyruar të pikturonit në xham?
Duchamp: Pika kryesore është subjekti, figura. Nuk ka nevojë për referencë. I gjithë ai sfond në kanavacë duhej menduar, hapësira e prekshme si letër muri, gjithë këto budalliqe, doja t’i fshija. Me xhamin mund të përqendrohesh te figura nëse do dhe mund të ndryshosh sfondin nëse do duke lëvizur xhamin. Tejdukshmëria e xhamit luan për ty. Çështja e pikturimit të sfondit është degraduese për një piktor. Gjëja që do të shprehësh nuk është në sfond.
Roberts: A mund të shpjegoni pse mbeti e papërfunduar?
Duchamp: Sërish tregon se vërtetë që nuk doja t’ia dija ta mbaroja. Ishte tepër e gjatë dhe në fund të humb interesi. Ndonjëherë më dukej se në gjërat e papërfunduara kishte më shumë ngrohtësi sa nuk e ndryshon ose nuk bën më perfeksione në produktin e përfunduar. Pra, skicat për Xhamin kam bërë përpara, disa në 1914, dhe nuk më kishte mbetur asnjë krijmtari në të; thjesht një përkthim i diçkaje që e kisha krijuar tashmë.
Roberts: A ndiet se i kishit shfrytëzuar të gjitha mundësitë?
Duchamp: Jo, jo, aspak. Ishte vetëm një faqe tjetër për t’u kthyer dhe kështu erdha në idenë e “Ready-made”. Siç e dini, në 1914, madje në 1913, kisha në studion time një rrotë biçiklete që rrotullohej për asnjë arsye. Pa e ditur nëse duhet ta fusja me pjesën tjetër të veprave të mia apo ta quaja vepër.
Roberts: A nuk është paradoks ky?
Duchamp: Po është paradoks dhe rrota ishte e para dhe as nuk quhej ready-made në atë kohë. Nuk emëroja kurrë asgjë. Thjesht ndodhte të ishte pronari yt… si zjarri në oxhak ose çdo gjë që lëviz. Sërish, ideja e lëvizjes, siç e sheh, e transferuar tashmë nga Nudo te një rrotë biçiklete, në të njëjtën kohë po punoja me Xhamin.
Roberts: Çfarë është ready-made?
Duchamps: Ready-made është një vepër arti pa një artist që ta bëjë, nëse mund ta thjeshtoj përcaktimin. Një tub boje që përdor artisti nuk është e bërë nga artisti; është e bërë nga prodhuesi i bojës. Kështu artisti në të vërtetë po bën një ready-made kur pikturon me një objekt të prodhuar që quhet bojë. Pra ky është shpjegimi, por kur e bëra unë, nuk kishte qëllim të kishte një shpjegim. Pjesa e saj ikonoklastike ishte shumë më e rëndësishme. Epo, impresionistët ishin ikonoklastë për romantikët dhe fauvistët ishin e njëjta dhe sërish kubizmi kundrejt fauvizmit. Pra erdha te ideja ime e vogël, gjesti im ikonoklastik.
Roberts: A e shihni këtë si një akt sfide?
Duchamps: Është edhe kjo, por ka edhe një anë filozofike. Çhyjnizimi i artistit. I uljes së statusit të tij në shoqëri.
Roberts: A nuk është ky një pozicion i çuditshëm për një artist?
Duchamps: Është paradoksale. Është gati skizofrenike. Nga njëra anë punoj në një formë aktiviteti intelektual dhe nga ana tjetër çhyjnizoj çdo gjë me më shumë mendime materialistike.
Roberts: A e mendoni si një shaka kozmike që i përfshin të gjithë, përfshirë ju?
Xhami i madh (Nusja e zhveshur nga beqarët e saj) 1915-23
Duchamps: Është e rëndësishme për mua t’i prezantoj humor, dyshim seriozitetit të veprës në tërësinë kozmike të botës. Cepi ynë i vogël i tokës është aq i vogël, sidomos sot teksa dimë më shumë për të. Dhe gjithmonë kemi qenë antropocentric, një ide për t’u tallur. Dhe e kam përfshirë veten në shaka. Doja të hiqja qafe instiktin e kopesë te artistët; të individualizoja, të veçoja, a nuk duhet të bëjë këtë çdo artist në vend se të shkojë drejt prodhimit në masë siç po bëjmë sot?
Roberts: Si e zgjidhni një ready-made?
Duchamps: Të zgjedh ty, si të thuash. Nëse hyn zgjedhja jote në të, atëherë, përfshihet shija, shija e keqe, shija e mirë, shija jo interesante. Shija është armiku i artit, A-R-T. Ideja ishte të gjeje një objekt që nuk kishte asnjë tërheqje nga këndi estetik. Ky nuk ishte akti i një artisti, por i një jo-artisti, zanatçiu. Doja të ndryshoja statusin e artistit ose të paktën të ndryshoja normat e përdorura për të përcaktuar një artist. Sërish për ta çhyjnizuar. Grekët dhe shekujt e gjashtëmbëdhjetë, shtatëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë e kanë menduar si punëtor, si zanatçi.
Roberts: A e mendoni veten si anti-art?
Duchamps: Jo, jo, fjala “anti” më acaron pak, sepse kur je anti ose pro, janë dy anë e të njëjtës gjë. Dhe do të doja të isha krejtësisht – nuk e di si e thoni ju – joekzistent, në vend se të isha pro ose kundër. Nëse fajësohem si anti-art, jam i kënaqur të fajësohem, sepse ky ishte qëllimi im në radhë të parë, të bëja diçka që nuk do t’i kënaqte të gjithë, të bëja diçka ikonoklaste…
Ideja e artistit si supermen është relativisht e kohëve të fundit. Kësaj po i shkoja kundër. Në fakt, që kur kam ndaluar aktivitetin tim artistik, ndihem sikur jam kundër këtij qëndrimi të nderimit që ka bota. Art, duke folur etimologjikisht, do të thotë “të bësh”. Çdokush po bën, jo vetëm artistët, dhe ndoshta në shekujt e ardhshëm do të jetë bërja pa vërejtjen.
Roberts: A e shihni aktin e krijimit të një ready-made si një akt arti?
Duchamps: Nuk do të thoja kështu, jo. Fakti që konsiderohen me të njëjtin nderim si objektet e artit ndoshta do të thotë se dështova të zgjidhja problemin e përpjekjes për ta hequr tërësisht artin. Pjesërisht është ngase kam vetëm disa ready-mades. Nëse mund të numëroj 10, 12, gjeste të këtij lloji në jetën time, kaq është. Dhe jam i lumtur që e bëra tani sepse këtu gabojnë artistët e të sotshmes, mendoj. A duhet ta përsërisësh? Përsëritja është bërë armiku i madh i artit në përgjithësi. Dua të them, formulat dhe teoritë bazohen në përsëritje.
Roberts: A i konsideroni ready-made-et e juaja në të njëjtin rend arritjesh si veprat e juaja të tjera apo i mendoni si më të parëndësishme?
Duchamps: Jo, nuk janë të parëndësishme, për mua të paktën. Duken të parëndësishme, por nuk janë. Përkundrazi, përfaqësojnë një gradë shumë më të lartë intelektualiteti. Dhe ajo që dua më shumë nuk është tamam… është ready-made nëse do, por e lëvizshme. E kam fjalën për tre metra fill që bien dhe ndërrojnë formë në njësinë e gjatësisë. Parapëlqej t’i quaj Tri ndalesat standarde. Isha i kënaqur me idenë që nuk isha përgjegjës për formën që bëhej sipas shansit. Në të njëjtën kohë, pata mundësi ta përdorja për gjëra të tjera… te Xhami i madh, për shembull.
Roberts: Kjo mbështetje te shansi a nuk e tradhton njëfarë përbuzje për mekanikat e artit?
Duchamps: Nuk mendoj se publiku është i përgatitur ta pranojë… shansi im i konservuar. Kjo mbështetje te rastësia është tepër e vështirë për ta. Mendojnë se çdo gjë duhet bërë me qëllim nga një shqyrtim i plotë e kështu me radhë. Me kohën do të pranojnë shansin si mundësi për të prodhuar gjëra. Në fakt, e gjithë bota është e bazuar te shansi, ose të paktën shansi është një përcaktim i çfarë ndodh në botën ku jetojmë dhe e njohim më shumë se çdo shkakësi.
Roberts: Kjo metodë matjeje e rastësishme, si me Ndalesat, i vendos një tendosje të rëndë ligjeve të fizikës, apo jo?
Duchamps: Nëse propozoj të tendos pak ligjet e fizikës dhe kimisë e kështu me radhë, është sepse dua që t’i mendoni si në gradë të paqendrueshme. Edhe graviteti është një formë rastësie ose mirësjelljeje, pasi vetëm për shkak të mospërfilljes një peshë është më e rëndë kur zbret sesa kur ngrihet. E djathta dhe e majta përfitohen duke lënë pas vetes një ndjesi këmbënguljeje në situatë.
Roberts: Eksperimentet e juaja në vizatime mekanike, pra, nuk janë të bazuara në asnjë ligj fizik, siç ishin të Leonardos?
Duchamps: Jo, jo, ishte një reagim kundër mënyrës së thjeshtë spërkatëse. Po luftoja kundër dorës, si të thuash. Vizatimi mekanik ishte gjëja më e afërt që mund të përdorja. Kjo ishte mënyrë për të marrë një ide të re pa ndryshuar mjetet. Nga poshtë lart. Qasja ime kundrejt makinerisë ishte tërësisht ironike. Bëra vetëm kapakun. Ishte mënyrë simbolike shpjegimi. Ajo që ishte nën kapak, si funksiononte vërtetë, nuk më interesonte. Kisha sistemin tim dhe ishte shumë sistem i shtrënguar, por jo i organizuar logjikisht. Peizazhet e mia fillojnë aty ku mbarojnë të da Vinci-t. E vështira është të dalësh nga logjikja.
Roberts: Si i pajtoni idetë anti-mekanike me interesin tuaj në shah?
Duchamps: Në jetën time, shahu dhe arti qëndrojnë në pole të kundërta, por mos u mashtroni. Shahu nuk është vetëm një funksion mekanik. Është plastik, si të thuash. Çdo herë që bëj një lëvizje të gurëve mbi fushë, krijoj një formë të re, një model të ri, dhe në këtë mënyrë jam i kënaqur nga konturi gjithnjë në ndryshim. Jo për të thënë se nuk ka logjikë në shah. Shahu të detyron të jesh logjik. Logjika është aty, por thjesht nuk e sheh.
Roberts: Makineria e çokollatës që shfaqet te Xhami i madh…?
Duchamp: Shfaqet në shumë vende. Gjithmonë ka qenë një domosdoshmëri për rrathët në jetën time, për, si të thuash, rrotullimin. Është një lloj narcizmi, kjo vetë-mjaftueshmëri, një lloj onanizmi. Makineria rrotullohet dhe nga një proces i mrekullueshëm që më është dukur gjithmonë mahnitës, prodhon çokollatë. Shahu, nga ana tjetër, përfshin një ushtrim krejtësisht kartezian ose vendimi që duhet të marrësh është i një rendi tjetër dhe rezultati është i një rendi tjetër. Në art, erdha më në fund në pikën ku dëshirojë të mos merrja më vendime, vendime të një rendi artistik, si të thuash. Në shah, si dhe në art, gjejmë një formë makinerish, meqenëse shahu mund të përshkruhet si lëvizje e pjesëve që hanë njëra-tjetrën.
Roberts: Duket sikur e keni përcaktuar heret rolin tuaj si artist.
Duchamp: Në ditët e hershme, kur artisti ishte ende një pariah dhe një endacak, rezistenca e shoqërisë kundër mënyrës së tij të jetesës i sillte një shpërthim kuptimplotë brenda vetes. Nëse kishte diçka për të thënë. Mund të jetë që arti i madh të vjen nga kushte rezistence, nga kushtet e luftës që e detyrojnë artistin të ketë një qëndrim përkushtimi që është gati fetar dhe nuk ka nevojën e pranimit nga shoqëria. Në francë ka një shprehje të vjetër, “Budalla si piktor.” Piktori konsiderohej budalla, por poeti dhe shkrimtari shumë inteligjentë. Doja të isha inteligjent. Duhet ta kisha idenë e shpikjes. Nuk është asgjë të bësh siç bënte yt atë. Nuk është asgjë të jesh një Cézanne tjetër. Në periudhën time vizuale ka pak nga ai budallallëku i piktorit. E gjithë vepra ime në periudhën para Nudos ishte pikturë vizuale. Pastaj erdha te ideja. E mendova formulimin ideatik si një mënyrë për t’u larguar nga influencat.
Roberts: A e mendoni veten tuaj, pra, jo vetëm si artist, por si një vëzhgues i mprehtë dhe komentues i La Comedie Humaine?
Duchamp: Jo, jo; vëzhgues, po, por komentues, jo. Nuk jam asgjë, veçse artist, jam i sigurt, dhe i lumtur të jem. Dhe gjithë këtë gjëra, e di, që më ndodhën gjatë jetës, bëhesh… vitet të ndryshojnë qëndrimin dhe nuk mund të isha më ikonoklastik. /Gazeta “ExLibris”/