LAJMI I FUNDIT:

Prokuroria pritet t’i intervistojë katër ish-ministra për privatizimin e KEDS

Prokuroria pritet t’i intervistojë katër ish-ministra për privatizimin e KEDS

Prokuroria Speciale shumë shpjet do të ftojë t’i intervistojë disa zyrtarë të lartë të shtetit lidhur me privatizimin e KEDS-it dhe katër hidrocentralet.

Prokuroria Speciale e Kosovës në maj të vitit 2018, ka nxjerrë vendim për fillimin e hetimeve për privatizimin e katër hidrocentraleve bashkë me rrjetin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike -KEDS. Prokuroria kishte dorëzuar në Gjykatën e Prishtinës vendimin për nisjen e hetimeve ndaj disa personave të përfshirë në shitjen e aseteve të KEK-ut.

Prokuroria pret që shumë shpejt të nisë me intervistimet e të dyshuarve të involvuar në këtë proces, por fillimisht është duke e shqyrtuar krejt dokumentacion financiar që ka të bëjë me procesin.


“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar ekspertizën financiare gjatë muajit shkurt të këtij viti, si dhe, jemi në përfundim të shqyrtimit të kësaj ekspertize. Po ashtu, do të bëhet intervistimi i të pandehurve lidhur me këtë çështje”, ka thënë për lajmi.net, Ekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Është mësuar se në aktvendimin për hetime janë disa zyrtarë të lartë, duke përfshirë ish-ministra, disa prej tyre janë momentalisht pjesë e qeverisë. Hetimet kanë nisur edhe ndaj një zyrtari të KEK-ut dhe një zyrtari të qeverisë të përfshirë në implementimin e kontratës.

Procesi i privatizimit të KEDS-it ishte udhëhequr nga Komiteti i Privatizimit, i cili drejtohej nga ministri i Zhvillimit Ekonomik që në atë kohë ishte Besim Beqaj.

Pjesë e komitetit drejtues ishin edhe Mimoza Kusar-i Lila (ish-ministre e Tregtisë dhe Industrisë), Dardan Gashi (ministër i Mjedisit), Bedri Hamza (ministër i Financave), Nenad Rashiq (ish- ministër i Punës).

Mimoza Kusari –Lila ka thënë për lajmi.net se është intervistuar nga policia në vitin e kaluar në cilësi të dëshmitares, jo të dyshuarës.

“Po një herë jam intervistuar para një viti më duket. Intervistën e kam pas në cilësinë e dëshmitares nga njësiti për hetime të policisë, jo nga prokuroria. Për të intervistuarit e tjerë nuk kam informacion të saktë, prandaj më mirë është pyetjen t’ia drejtoni Prokurorisë”, tha Kusari –Lila.

Mësohet  se njeri prej të intervistuarve të fundit i ish- komiteti drejtues është Dardan Gashi. Lajmi.net ka provuar të marrë një prononcim nga Gashi, pro deri më tani ai nuk është përgjigjur.

Në gushtë të vitit të kaluar Prokuroria kishte mbyllur hetimet për Bedri Hamzën. Lajmi ishte konfirmuar nga prokurori special Sylë Hoxha.

“Është e vërtetë që në mungesë provash hetimet për Bedri Hamzën janë mbyllur”, kishte thënë Hoxha duke mos dhënë detaje për ministrat e tjerë.

Katër hidrocentrale ishin privatizuar bashkë me distribucionin dhe furnizimin me energji elektrike. Përfshirja e tyre në pakon tenderuese ishte mbajtur e fshehtë, ndërsa edhe ministrat që kanë marrë vendimet kryesore për privatizim kanë deklaruar se nuk kanë qenë të informuar se në pako është përfshirë edhe shitja e hidrocentraleve.

Katër hidrocentrale janë shitur së bashku me KEDS-in: hidrocentrali i Dikancës, hidrocentrali i Burimit, ai i Radavcit dhe Lumbardhit.

Më 2 tetor 2008, Qeveria e Kosovës mori vendim për privatizimin e distribuimit dhe furnizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës. Gjashtë ditë më vonë qeveria mori vendim për formimin e grupit punues ndërqeveritar i cili do të bartte procesin e privatizimit. Ndërsa më 12 dhjetor të të njëjtit vit, ky vendim i qeverisë mori edhe mbështetjen në parim nga Kuvendi i Kosovës.

Pas përfundimit të afatit për dorëzimin e aplikacioneve për parakualifikim, më datën 6 prill 2011,  shpallen katër kompanitë të cilat kishin aplikuar. Këto ishin Calik Holding dhe Limak Holding të regjistruara në Turqi, Elsewedy Electric e regjistruar në Egjipt, dhe koncorsiumi TAIB – Yildizlar e regjistruar në Turqi dhe Bahrejn. Të katër kompanitë e kaluan fazën e para-kualifikimit. Ndërsa pas një afati prej 8 muajsh, kompanitë kërkuan nga komiteti për privatizim t’i lejoje të krijojnë koncorsiume. Kështu u formuan koncorsiumet Limak-Calik dhe Elsewedy. Më datën 9 qershor 2012, koncorsiumi Limak-Calik shpallet fitues për privatizimin e KEDS pasi kishte ofruar shumën më të madhe, 26.3 milionë euro.

Gjatë prezantimit për strukturën dhe profilin e kompanisë ashtu edhe planet për investime, një muaj pas shpalljes së fituesit, konsorciumi Limak-Calik kishte premtuar investime prej 300 milionë euro në pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme. Në të njëjtin takim, ishin bërë të ditur edhe disa detaje tjera rreth shitjes, si garantimi i vendit të punës për tri vite pas privatizimit për punëtoret e KEDS, lënia jashtë shitjes e nivelit 110 kV, dhe mbetjen e borxheve të vjetra të KEK-ut tek KEDS. Më 17 tetor 2012, u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe konsorciumit Limak-Calik.

Në trend Lajme

Më shumë
Vazhdon numërimi i votave nga diaspora, këto janë rezultatet e deritanishme

Vazhdon numërimi i votave nga diaspora, këto janë rezultatet e deritanishme

Lajme
“Rakia, si qumështi i nënës”, Baba Mondi: Shteti Bektashi në Shqipëri një copë tokë pa taksa dhe polici

“Rakia, si qumështi i nënës”, Baba Mondi: Shteti Bektashi në Shqipëri një copë tokë pa taksa dhe polici

Lajme
Peci: Mund të kemi Qeveri Kurti 3, por pastaj mund të kemi përplasje me një superfuqi botërore

Peci: Mund të kemi Qeveri Kurti 3, por pastaj mund të kemi përplasje me një superfuqi botërore

Lajme
Ismet Tara: Ka zgjidhje për Specialen, por nuk kemi as shtet, as pushtet

Ismet Tara: Ka zgjidhje për Specialen, por nuk kemi as shtet, as pushtet

Drejtësi
Tara: Dokumenti i paraqitur në Hagë mund të rrezikojë pavarësinë e Kosovës

Tara: Dokumenti i paraqitur në Hagë mund të rrezikojë pavarësinë e Kosovës

Lajme
Vdekja e gruas në Podujevë, Bajrami kërkon veprime konkrete nga Qeveria kundër qenve endacakë

Vdekja e gruas në Podujevë, Bajrami kërkon veprime konkrete nga Qeveria kundër qenve endacakë

Lajme
Kalo në kategori