Prokuroria kërkon që të akuzuarit për terrorizëm t’i sekuestrohen paratë

Në fjalën përfundimtare të dhënë në rigjykimin e të akuzuarit për terrorizëm, Nehrudin Skenderi, prokurori special Bekim Kodraliu kërkoi konfiskimin e mjeteve monetare të sekuestruara, me pretendimin se ato janë përdorur për kryerjen e veprës penale.
Gjykata administroi provat materiale, vërtetimi mbi sekuestrimin e sendeve prej 29 mijë e 480 euro, certifikata mbi dorëzimin dhe kthimin e mjeteve, urdhëresa për kthimin e sendeve, aktvendimi për zëvendësimin e paraburgimit me atë të dorëzanisë dhe vërtetimi për sekuestrimin e sendeve.
Ndërkaq, mbrojtësit e të pandehurit, avokatët Toma Gashi dhe Syl Hoxha, kundërshtuan këto pretendime, duke argumentuar se mjetet financiare janë të ligjshme dhe nuk janë përdorur për qëllime kriminale.
Çështja e konfiskimit të këtyre mjeteve është rikthyer në rigjykim pas një vendimi të Gjykatës së Apelit më 2 korrik 2024, e cila anuloi aktgjykimin e mëparshëm të Gjykatës Themelore lidhur me këtë çështje.
Pjesa tjetër e aktgjykimit, që përfshin dënimin prej 30 viteve e gjysmë burgim dhe 5 mijë euro gjobë për Skenderin dhe të bashkëakuzuarit Ardijan Gjuraj, Ergim Syla dhe Mentor Bellaqa, është konfirmuar nga Apeli.
Gjatë seancës së sotme, me propozim të avokatit Gashi, u administruan disa prova materiale, përfshirë vërtetime mbi sekuestrimin dhe kthimin e mjeteve monetare, urdhëresa për kthimin e sendeve dhe aktvendime për zëvendësimin e paraburgimit me dorëzani.
Avokati argumentoi se këto dokumente legjitimojnë se mjetet nuk janë përdorur për terrorizëm.
Në fjalën përfundimtare, prokurori Kodraliu vlerësoi se dëshmitë e dëshmitarëve janë kontradiktore dhe se provat materiale dhe personale dëshmojnë përtej dyshimit të bazuar mirë se mjetet e sekuestruara në ditën e arrestimit ishin pasuri e të akuzuarit Skenderi dhe u përdorën për veprën penale.
Nga ana tjetër, avokati Gashi kundërshtoi duke theksuar se paratë e sekuestruara janë gjetur në shtëpinë e prindërve të Skenderit dhe nuk ka prova që ato janë përdorur për terrorizëm. Ai gjithashtu theksoi se vetë Prokuroria Speciale kishte urdhëruar kthimin e mjeteve monetare, çka, sipas tij, dëshmon se ato nuk kanë qenë të kundërligjshme.
Seanca për shpalljen e aktgjykimit për këtë çështje është caktuar për një datë tjetër.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzën kundër Skenderit dhe të tjerëve që në dhjetor të vitit 2022, duke i akuzuar për përgatitje të akteve terroriste në Kosovë. Sipas aktakuzës, Skenderi akuzohet se ka dorëzuar mjete financiare për blerjen e armatimeve të destinuara për kryerjen e veprave terroriste.

















































