Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu ka takuar përfaqësuesit nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK) respektivisht ushtruesin e detyrës së drejtorit, Alban Sutaj së bashku me drejtorin e Departamentit Operacional, Enver Krasniqi.

Në takim kanë marrë pjesë edhe prokurorja nga Departamenti i Krimeve të Rënda, Arijana Shajkovci, zëvendës kryeprokurori, Labinot Jetishi si dhe udhëheqësi i Departamentit të Përgjithshëm, Atnor Skoro.


“Në fokus të diskutimeve ishin shitja e aseteve në fazë të hershme, planifikimi dhe koordinimi mes Prokurorisë së Prizrenit dhe AAPSK-së në fazë të hershme të sekuestrimit, rikthimi i aseteve si dhe trajtimi i sendeve të përdorura”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, raporton Telegrafi.

Aty theksohet se të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin drejt rritjes së transparencës në menaxhimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara në Kosovë. /Telegrafi/