Prokurimi publik ende mbetet mangësi kryesore e komunave

Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike ka shqyrtuar sot raportin e auditimit për pasqyrat vjetore financiare të komunave për vitin 2015.
Disa nga kryetarët e komunave që ishin ftuar në këtë raportim janë ankuar për problemet që kanë komunat në raport me Qeverinë dhe Kuvendin, por me të cilët nuk është pajtuar Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani.
Sipas tij ka keq klasifikime të kodeve në planifikim të buxhetit dhe se ai nuk do të ketë pardon pa marrë parasysh që sivjet është vit zgjedhor.
Osmani përmendi tri çështje që e shqetësojnë Auditorin e që janë prokurimi publik, menaxhimi i pasurive financiare dhe pagesat e palëve të treta.
“Për shkak të fajit të planifikimit të buxhetit kemi më shumë se 3 milionë euro që janë bërë me vendime të kryetarëve të komunave për të përdor kode jo adekuate. Unë besoj që do të adresohen dhe këto janë në raporte të kryetarëve të komunave dhe unë kisha dashur që ata t’i shohin këto raste. Sepse ky nuk është faji i Qeverisë dhe faji i Parlamentit. Mirëpo është veprim i qëllimshëm i kryetarit të komunës, mund të jetë legjitim mirëpo është jo ligjor edhe nuk mbështetet me legjislacion. Do ta kualifikojmë buxhetin e komunave na vjen shumë keq që mund të hupin kredi, donatorë. E dimë që është vit zgjedhor e tjera në nivelin komunal, mirëpo besoj që këtu nuk do të kemi nevojë për asnjë pardon. Secila prej komunave e di se ku i ka marrë kodet ku i ka përdor në mënyrë jo adekuate dhe e dinë saktë sa është vlera e këtyre kodeve”, tha Osmani.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka adresuar çështjen e pasurisë të paluajtshme, sipas tij cilit kjo është një nga sfidat kryesore që ka komuna.
“Veç Komuna e Prishtinës ka 2 miliardë e gjysmë euro ,pasuri të paluajtshme të pasurisë kapitale të cilën e kemi dhe ka qenë një problem i madh sepse nuk kemi pasur mundësi me regjistruar në Thesar në ‘Free Balanc’ për një kohë të gjatë , derisa në fund të vitit të kaluar na u është lejuar që të regjistrojmë. Po them tepër e rëndësishme për shkak se duke e ditur dhe marrë parasysh gjendjen e kadastrit të cilin e kemi në Republikën e Kosovës aq shumë ka probleme pronësore në Komuna që edhe regjistrimi i pasurisë nënkupton edhe një evidentim të asaj se çka ke, kush të ka uzurpuar, ku kanë mund me u bërë dallavere me pronësi që ka të kontestuar që është problematike.”, tha Ahmeti.
Ndërsa kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila, i ka numëruar një varg problemesh me të cilat ka komuna që ajo e drejton në raport me nivelin qendror.
“Niveli i komunikimit të komunave me Ministrinë apo nivelin qendror është i vështirë. Sidomos me Thesarin. Duhet të them se zyrtarët në këtë departament nuk i përgjigjen me kohë kërkesave të komunave”, tha Kusari-Lila.
Me disa aspekte që kanë deklaruar Ahmeti dhe Kusari-Lila është pajtuar edhe zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi, i cili ka pranuar se për shkak të marrëveshjes me FMN-në duhet të kenë disiplina më të madhe financiare.
“Kryetarët kanë plotësisht të drejtë edhe arsye këta e kanë gjet komunën me plot probleme. Duke filluar prej borxheve që kanë qenë më herët ato janë përcjell tek disa komuna , kështu që kanë pasur problem edhe menaxhim të drejtë kisha me thënë edhe në krejt procesin buxhetor. Raportet me FMN-në kanë kërkuar dhe kërkojnë edhe më tutje një disiplinë edhe më të madhe fiskale përkundër që kryetarët i shprehen brengat e tyre që këta ballafaqohen me probleme të përditshme ne ballafaqohemi me problem të përgjithshme që janë kufizimet buxhetore që janë në nivel edhe të Qeverisë qendrore dhe asaj komunale”, tha Krasniqi.
Ai beson se Ligji për Paga do të rregullojë disa çështje që do të jenë të harmonizuara për të gjitha komunat.
Tri shqetësimet kryesore te cilat janë gjetur në raportin e Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të komunave për vitin 2015 janë prokurimi publik, menaxhimi i pasurive financiare dhe subvencionet.
Në këtë shqyrtim në Komision janë ftuar kryetari i komunës së Prishtinës, Pejës, Prizrenit, Gjakovës, Ferizajit, Gjilanit, Mitrovicës dhe Graçanicës. /Telegrafi/





















































