LAJMI I FUNDIT:

Prodhimi botëror i verës, më i ulëti në 60 vitet e fundit

Prodhimi botëror i verës, më i ulëti në 60 vitet e fundit

Kushtet e pafavorshme të motit në Europë kanë bërë që prodhimi botëror i verës të bjerë në nivelin më të ulët që prej 60 viteve të fundit.

Organizata botërore e verës tha se prodhimi vitin e kaluar ishte 250 milionë hektolitra, një rënie me 8.6 për qind nga viti 2016. Një prodhim kaq i ulët nuk arrihej që nga viti 1957.

Një hektolitër përbëhet nga 100 litra, ose ekuivalenti i rreth 133 shisheve standarde të verës 75 centilitërshe.


Të gjithë prodhuesit kryesorë të verës në Europë u goditën nga ngricat në pranverë dhe thatësira në verë, çka bëri që prodhimi në BE të bjerë me 14.6 për qind, në vetëm 141 milionë hektolitra. Prodhimi i verërave italiane ra me 17 për qind në 42.5 milionë hektolitra, prodhimi i Francës ra me 19 për qind në 36.7 milionë hektolitra, kurse në Spanjë prodhimi ra me 20 për qind në 32.1 milionë hektolitra.

Ndërkohë, prodhimi mbeti stabël në Shtetet e bashkuara, i cili është prodhuesi i katërt më i madh në botë dhe në Kinë, prodhuesi i shtatë më i madh në botë. /Telegrafi/