Prizreni nis shënimin e 26-vjetorit të çlirimit me homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë

Shënimi i përvjetorit të 26-të të çlirimit të Prizrenit, të enjten, ka nisur me homazhe në varrezat e Dëshmorëve në Landovicë me pjesëmarrjen e udhëheqësve institucionalë, familjarëve të dëshmorëve, përfaqësuesve të shoqatave të dala nga lufta dhe qytetarëve.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, së bashku me akterët tjerë kanë përkujtuar sakrificën e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e pavarësinë e Kosovës.
“Dëshmorët e kombit e kanë vendin më të veçantë në historinë e lavdishme të Kosovës, pasi ata dhanë më të shtrenjtën – jetën – për liri. Le të na shërbejë kjo ditë si kujtesë për sakrificën e madhe të popullit dhe për organizimin e jashtëzakonshëm politik e ushtarak të vajzave dhe djemve që u vunë në mbrojtje të atdheut. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!”, është shprehur kryetari Totaj, thuhet në njoftimin e Komunës, raporton Telegrafi.
Shënimi i përvjetorit të 26-të të çlirimit të Prizrenit do të vazhdojë gjatë ditës me aktivitete të ndryshme. /Telegrafi/








































