Policia e Kosovës ka arrestuar në flagrancë një person të dyshuar për veprën penale të fajdes në qytetin e Prizrenit.

Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është zhvilluar më 06.08.2025 nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Prizrenit me mbështetje edhe nga njësi të tjera relevante.


“Policia e Kosovës, respektivisht Sektori Rajonal i Hetimeve/DRP- Prizren në mbështetje edhe të njësive tjera relevante, ka zhvilluar një operacion policor i cili ka rezultuar me arrestimin në flagrancë të të dyshuarit mashkull kosovar për veprën penale Fajde”- thuhet në komunikatë.

Policia tha se hetimet kishin zbuluar se i dyshuari në mënyrë të vazhdueshme kishte ushtruar presion mbi viktimën, një qytetar kosovar, duke shfrytëzuar gjendjen e tij të rëndë financiare për të përfituar interes nëpërmjet fajdes.

Viktima dyshohet se ishte detyruar të vepronte në dëm të pasurisë së vet.

“Policia e Kosovës pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, ka zhvilluar një operacion policor me qëllim të arrestimit të personit të dyshuar, i cili dyshohet se në vazhdimësi ka ushtruar presion ndaj viktimës mashkull kosovar me qëllim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes, me çrast ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës dhe e ka detyruar viktimën të veproj në dëm të pasurisë së tij”-  thuhet në komunikatë.

Arrestimi është bërë në momentin kur i dyshuari po pranonte para në emër të kamatës së fajdesë. Me vendim të prokurorit të shtetit, është kryer edhe kontroll në shtëpinë dhe ambientet përcjellëse të të dyshuarit.

“Gjatë operacionit policor i dyshuari mashkull kosovar është arrestuar në flagrancë duke pranuar mjete financiare në emër të kamatës së fajdesë, ku me urdhër verbal të prokurorit të shtetit është kontrolluar shtëpia dhe objektet tjera përcjellëse të tij.” – tha Policia.

Pas intervistimit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë Themelore në Prizren.

“Lidhur me rastin pas intervistimit të personit të dyshuar, me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prizren të njëjtit i caktohet masa e ndalimit për 48 orë” – përfundon  komunikata e Policisë.