Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një lidhje telefonike për “Debat Plus” ka thënë se që nga çlirimi i Kosovës nga Shqipëria në Kosovë ka hyrë në procedura të njëjta.
“Nëse u intereson Sveçlës dhe Kurtit lokacioni im, unë jam në shtëpi. U bëj thirrje atyre të mos krijojnë konfuzion, shpifje dhe marrëzira dhe të mos kërcënojnë njerëz të politikës e as deputetë, e në këtë rast as zotin Pacolli”.
Thaçi ka thënë se Sveçla “mos t’ia mësyjë i vetëm shtëpisë së tij por le ta merr edhe Kurtin”.
“Për ministrin dhe shefin e tij, dhe gjithë ndërmarrjen kriminale të tyre u them se lokacioni im është në shtëpi”.
Thaçi thotë se është “shpifje ordinere, kërcënim dhe shantazh” se Pacolli është futur me të në Kosovë, përcjell Telegrafi.
Reagimi i Presidentit vjen pasi ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, tha se Presidenti i Kosovës mbrëmë ka kaluar kufirin për në Shqipëri dhe për këtë nuk është njoftuar Protokolli i shtetit.
Për këtë po dyshohet se ka skenar që Hashim Thaçi mund ta ketë futur mbrëmë kreun e AKR-së Behgjet Pacollin në Kosovë.
Sveçla ka thënë se nëse konfirmohet se kreu i AKR-së ka qenë në veturën e presidentit, atëherë Thaçi duhet t’i nënshtrohet masave të karantinimit ose vetizolimit në pajtim me vendimet e marra për parandalimin e përhapjes së Covid-19 në Kosovë./Telegrafi/