Presidenti i FIFA-s, Infantino: E di që e ardhmja e futbollit në Kosovë është në duar të mira

Përmes një videomesazhi, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, përshëndeti ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Laureatët e Vitit 2024”, të FFK-së. I pari i futbollit botëror vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm të futbollit kosovar dhe arritjet e shënuara që nga anëtarësimi i Kosovës në FIFA në vitin 2016. Mesazhi i plotë i presidentit Infantino: “I dashur President, i dashur Agim, të nderuar anëtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës, të dashur mysafirë, miq të dashur. Çfarë kënaqësie të ju drejtohem përsëri në ceremoninë vjetore të Çmimeve të Federatës së Futbollit të Kosovës. Që kur Kosova iu bashkua FIFA-s në maj të vitit 2016, futbolli ka bërë përparime të jashtëzakonshme në vendin tuaj dhe ekipet tuaja tashmë kanë arritur disa rezultate shumë mbresëlënëse. I ndjeri Fadil Vokrri, presidenti juaj i atëhershëm dhe miku im i dashur, punoi aq shumë për të realizuar ëndrrën e anëtarësimit të Kosovës në FIFA dhe dua të filloj duke i bërë homazhe një lideri të madh dhe një futbollisti të madh. Ky vit ka qenë një vit i shkëlqyer për futbollin në Kosovë, me ekipet e meshkujve dhe të femrave që aktualisht renditen në top 100 të renditjes së FIFA-s, duke arritur pozicionet më të larta ndonjëherë në renditje. Kjo, sigurisht, nuk ka ndodhur rastësisht, por është rezultat i punës fantastike që po bëhet nga Presidenti Ademi dhe nga të gjithë ju. Po bëhet shumë për t’u dhënë vajzave dhe djemve mundësinë për të luajtur futboll, për të ofruar kushte më të mira, për të rritur standardet, dhe jam i sigurt se, me mbështetjen e programit FIFA Forward, ka ende shumë për t’u bërë në të ardhmen.


















































