Kryetarët e komunave në Kosovë kanë nisur emërimin e drejtorëve në ekzekutivet e reja katërvjeçare, por procesi po shoqërohet me mospërputhje të theksuara mes premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore dhe praktikës institucionale pas zgjedhjeve.

Gjatë fushatës për Zgjedhjet Lokale 2025, e cila nisi më 12 shtator, shumica e kandidatëve për kryetarë komunash kishin premtuar ndarje të barabartë të drejtorive, me përfaqësim 50 me 50 mes burrave dhe grave. Megjithatë, emërimet e deritanishme tregojnë se ky premtim nuk po zbatohet.


Procesi zgjedhor përfundoi më 12 tetor në një pjesë të komunave, ndërsa 18 komuna shkuan në balotazhin e mbajtur më 9 nëntor. Komisioni Qendror Zgjedhor certifikoi rezultatet brenda afateve ligjore, ndërsa në muajin dhjetor filloi procesi i emërimit të drejtorëve, i cili ka vazhduar edhe gjatë janarit të vitit 2026.

Sipas të dhënave të deritanishme, në shumicën e komunave kryetarët kanë emëruar më shumë burra sesa gra në pozita drejtuese. Raste të tilla janë evidentuar në Podujevë, Gjakovë, Lipjan dhe Vushtrri, duke ngritur shqetësime serioze për respektimin e parimit të barazisë gjinore.

Pse nuk po mbahen premtimet?

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, ka deklaruar për Telegrafin se mungesa e mekanizmave ndëshkues po u krijon komunave hapësirë për të mos respektuar premtimet e dhëna.

“Komunat po e shfrytëzojnë edhe faktin se ende nuk ka një qeveri funksionale. Kjo krizë politike po përdoret si justifikim për të vazhduar emërimet pa respektuar kriterin 50 me 50, edhe pse gjatë fushatës ky ishte një premtim i përsëritur dhe një kërkesë e vazhdueshme nga ana jonë në takimet me partitë politike”, ka thënë Demolli.

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore Foto: Ridvan Slivova


Ajo ka shtuar se emërimet janë ndikuar nga kalkulime politike dhe shpërblimi i personave që kanë siguruar më shumë vota gjatë fushatës.

“Në shumicën e rasteve janë emëruar burra në drejtori për të shpërblyer strukturat partiake në terren. Ndërkohë, të njëjtat parti ankohen se nuk ka gra në lidership apo në lista zgjedhore, pa reflektuar mbi mënyrën se si vetë i përjashtojnë gratë nga pozitat vendimmarrëse”, ka theksuar ajo.

Sipas Demollit, qeveria duhet të ndërmarrë masa konkrete për të garantuar zbatimin e barazisë gjinore.

“Komunat që nuk e zbatojnë ligjin për barazi gjinore dhe nuk respektojnë ndarjen 50 me 50 të posteve drejtuese duhet të ndëshkohen përmes buxhetit dhe granteve qeveritare, pasi nuk ka forma të tjera efektive ndëshkimi”, ka përfunduar ajo.

Edhe drejtoresha ekzekutive dhe kryeredaktorja e Qendrës për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, Leonida Molliqaj, ka vlerësuar se sjellja e kryetarëve të komunave tregon mungesë të vullnetit real politik për barazi gjinore.

“Mospërputhja mes premtimeve publike dhe praktikës konkrete pas zgjedhjeve dëshmon qartë se barazia gjinore vazhdon të trajtohet si retorikë elektorale dhe jo si angazhim politik real”, ka deklaruar Molliqaj.

Leonida Molliqaj, drejtoresha ekzekutive dhe kryeredaktorja e Qendrës për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA

Ajo ka paralajmëruar se dominimi i burrave në pozita drejtuese në nivel lokal ka pasoja të drejtpërdrejta dhe afatgjata në proceset vendimmarrëse.

“Vendimet e marra pa perspektivën e grave shpesh nuk adresojnë nevojat reale të gjysmës së popullsisë dhe riprodhojnë pabarazi strukturore në fusha si punësimi, shërbimet sociale, kujdesi shëndetësor dhe planifikimi urban”, ka theksuar ajo.

Sipas Molliqajt, përfaqësimi real i grave kërkon masa të detyrueshme dhe mekanizma llogaridhënieje.

“Nevojitet vendosja e kritereve të detyrueshme për barazi gjinore në përbërjen e ekzekutiveve komunale, mekanizma ndëshkues për mosrespektimin e tyre dhe investim i vazhdueshëm në fuqizimin politik dhe profesional të grave. Pa këto hapa, përjashtimi i grave nga sfera publike do të vazhdojë të normalizohet”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/