Premiera e veprës koreografike “Brendësia e Kostumit” vjen në skenën e Teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren
Premiera e veprës koreografike të kërcimit bashkëkohor “Brendësia e Kostumit” me konceptin e krijuar nga Gëzim Sertollaj shfaqet gjatë kësaj jave në Prizren.
Ky prodhim nga OJQ “DancePriFest”, që është pjesë e programit mujor të Teatrit “Bekim Fehmiu”, eksploron marrëdhëniet njerëzore dhe transformimin e tyre, duke reflektuar realitetin e përditshëm në punë, familje apo komunitet.
“Katër karaktere të ndryshme ndajnë një hapësirë të përbashkët, ku përplasjet, ndikimi dhe ndërhyrjet mes tyre krijojnë tension dhe harmoni njëkohësisht. Një varëse simbolike i lidh ata, duke përfaqësuar rrënjët, përkatësinë dhe kufijtë e identitetit. Përmes lëvizjes dhe kontrasteve, shfaqja eksploron marrëdhëniet njerëzore dhe transformimin e tyre, duke reflektuar realitetin e përditshëm në punë, familje apo komunitet. Kostumi mbetet elementi që i dallon, por brenda tij fshihet një botë e përbashkët”, thuhet në përshkrimin e shkurtër të përmbajtjes së kësaj vepre artistike, raporton Telegrafi.
Koncepti dhe koreografia e këtij projekti artistik është realizuar nga koreografi Gëzim Sertollaj, ndërsa interpretimin në skenë e sjellin Abdo Shuki, Fitim Kolgeci, Hysen Rrafshi dhe vetë Sertollaj.
Shfaqja shoqërohet me ndriçimin nga Skender Latifi, muzikën e kompozitorit Rene Aubry dhe dizajnin e tonit nga Flamur Krasniqi, derisa video produksioni mban firmën e Labinot Gashit.
Sipas organizatorëve, me një qasje inovative ndaj kërcimit bashkëkohor, "Brendësia e Kostumit" premton që të ofrojë një eksperiencë unike artistike për shikuesit, raporton Telegrafi.
Në njoftimin e Teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren thuhet se premiera shfaqet më 20 shkurt 2025 nga ora 20:00 dhe se hyrja është falas. /Telegrafi/































