Komuna e Malishevës, përkatësisht Kryetari i Komunës dhe Drejtoria për Buxhet dhe Financa, nga e marta, do të fillojmë mbajtjen e debateve publike nëpër fshatra, në kuadër të hartimit të buxhetit komunal për vitin e ardhshëm, përkatësisht për hartimin e projekteve kapitale. Kështu u tha në mbledhjen e Këshillin të Drejtorëve, nga Kryetari Ragip Begaj.

Sipas drejtorit të Drejtorisë për Ekonomi, Buxhet dhe Financa, Vesel Krasniqi, qëllimi i këtyre debateve, është marrja e kërkesave të vendbanimeve dhe futja e tyre në prioritet komunale për investimet kapitale për vitin e ardhshëm, para se këto planifikime të shkojnë në Kuvendin e Komunës për miratim të projekt buxhetit dhe listës së investimeve kapitale.


Debati i parë, do të mbahet në vendbanimin më të madh në Komunën e Malishevës, në fshatin Drenoc, duke filluar nga ora 19:00 dhe këto debate janë të hapura për qytetarë, të cilët do t’i paraqesin kërkesat e tyre, për planifikimin e projekteve kapitale, për vitin 2017.

Këto debate, mbahen në kuadër të procesit të shqyrtimit të Kornizës së dytë Afatmesme Buxhetore dhe këtë formë të debateve të drejtpërdrejta me qytetarë, Komuna e Malishevës, e zbaton tash e tri vite me radhë, duke i marrë prioritet drejtpërdrejtë nga qytetarët, në secilin vendbanim.

Ndryshe në mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve, udhëheqësit e drejtorive, kanë raportuar për punët e tyre dhe kanë marrë udhëzimet nga kryetari Begaj, për zhvillimin e aktiviteteve, ashtu siç i kanë planifikuar drejtoritë./Telegrafi/