Site icon Telegrafi

Prapaskena tronditëse – policia gjermane ndali një sulm të madh terrorist para finales së Euro 2024

Finalja e Kampionatit Evropian “Gjermani 2024” rrëmbeu të gjitha ballinat për ngjarjet që ndodhën në fushë, por tani është zbuluar se policia gjermane ka ndërmarrë një aksion për t’u siguruar se çështjet jashtë saj, nuk do të bëheshin tema kryesore.

Qyteti i Berlinit ishte mikpritës i finales së madhe, aty ku Spanja bëri historinë duke mposhtur Anglinë me rezultat 2-1 në finale për ta fituar për herë të katërt këtë titull.

Ashtu siç ndodh në evente të mëdha, ka gjithmonë një numër të madh të sigurisë dhe prezencë masive të policisë, pasi autoritetet synojnë të sigurohen se gjithçka shkon sipas rendit dhe të gjithë janë të sigurt.

Tani është zbuluar se kishte një komplot aty ku objektiv ishin tifozët e Anglisë dhe vendi ku ata po qëndronin (Breitscheidplatz) me qindra prej tyre për të përcjellur ‘Tre Luanët’.

Detajet sugjerojnë se një situatë potencialisht shumë e rrezikshme është evituar, falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë gjermane.

Sipas një raportimi nga The Sun, ishin tre të dyshuar që u arrestuan pas bastisjeve të koordinuara nga forcat speciale në periferi të Berlinit, vetëm disa orë para fillimit të ndeshjes.

Të arrestuarit besohet se njiheshin si ‘mbështetës të ISIS-it’ dhe që tashmë ishin nën përcjelljen e policisë gjermane.

Lexo po ashtu Heroi i Spanjës në Euro 2024 doli nga berberi për t'u befasuar nga ajo që po shihet në rrugë

“Shtëpitë e tre personave u bastisën në tri adresa të ndryshme në Potsdam. Forcat speciale ishin të përfshirë në këtë operacion”.

“Të gjitha masat u morën në lidhje me një kërcënim të menjëhershëm nga spektri islamik”, ka thënë një zyrtar policor në Berlin.

Tre të dyshuarit më pas eventualisht ishin liruar, ndërsa raporti shton se ata ishin në kërkim të pesë personave të dyshimtë që ishin fotografuar nga një kishë në Breitscheidplatz./Telegrafi/

Exit mobile version