Pranga 32-vjeçares, masakroi burrin në sy të fëmijëve

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës bënë me dije se ngjarja ka ndodhur dje, në lagjen "Sanxhak" të qytetit të Laçit. Gjatë marrjes në pyetje, Luljeta Legisi, e cila akuzohet për "Dhunë në familje", ka deklaruar se nuk e ka dhunuar babanë e dy fëmijëve të saj.
“Ajo punon si kameriere në një lokal të ‘Sanxhakut’. Sapo hyri në banesë, nisi të më godiste me mjete të forta. Ndërkohë, më kërkonte llogari se pse kisha shkuar tek prindërit e saj në fshatin Adriatik dhe isha ankuar se ajo nuk më pyeste për asgjë dhe më dhunonte. Gruaja ime ishte indinjuar se i ati e kishte marrë në telefon dhe i kishte bërtitur se nuk sillej mirë. E ndërsa më shante, ajo vazhdonte të më godiste në trup dhe në kokë. Nuk pata kohë as të vishja këpucët. Kështu i gjakosur mbërrita në polici”, tregon Legisi për BW.
Ai ka treguar në polici se edhe para 6 muajsh, Luljeta e ka goditur me thikë në shpatull.
“Ajo ma nguli tehun e thikës deri në kockë dhe nuk u ankova, pasi më vinte keq për fëmijët, të cilët që të dy janë të vegjël. Ka 6 muaj që nuk fle në një krevat me të. Luljeta mbante një thikë në çantë, të cilën natën e vendoste poshtë jastëkut. Ajo më thoshte se nëse i afrohesha krevatit do më godiste. Kam kohë që kam kontradikta me time shoqe. Nuk kam mundur dot të gjej zgjidhje, ndaj erdha ta denoncoj”, u shpreh bashkëshorti.
Sipas hetuesve të çështjes, edhe fëmijët e mitur të çiftit Legisi gjatë marrjes në pyetje në prani të psikologëve kanë konfirmuar për dhunën që ushtronte nëna mbi babanë e tyre. /Telegrafi/


















































