Anëtarët e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë janë ballafaquar sot me kundërshtimet e deputetëve për propozimin e shtrenjtimit të tarifave të energjisë elektrike për 15 për qind, vendim ky i cili pritet të merret sot pasdite nga ZRRE-ja.
E për rreth dy orë, Bordi i ZRRE-së gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti. ku si temë ishte Plani i Performancës së ZRRE-së për vitin 2023 dhanë arsyetimin për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike.
Për këtë i zëshëm ishte deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni i cili u shpreh se mos bërja me kohë e nominimeve për blerje nga operatorët, por edhe performanca e tyre jo e mirë ka ndikuar që tash të ketë shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave.
“Operatorët kanë dështuar në nominime me kohë dhe prandaj janë gjobitur nuk mund të vijmë në situatën që të kemi shqyrtim të tarifave për shkak të shkeljeve dhe mos performancës së mirë të dy operatorëve gjatë vitit 2022. Dhe kështu vijmë ne në një situatë që performanca jo e mirë e tyre të jetë barrë për qytetarët e vendi”, u shpreh Hyseni.
Por, me këtë nuk u pajtua kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu i cili tha se shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave ka ndodhur për shkak të kostos së lartë të importit e cila është më e lartë sesa që është planifikuar.
“Nuk është e vërtet që është për shkak të mos performancës së tyre, është për shkak se kosto e importit është shumë më e lartë sesa që është planifikuar, dhe nuk ka të bëjë me gjoba as nuk paguhen nga ana e konsumatorëve dhe nuk hyjnë në anën që ne shqyrtojmë”, u shpreh Fejzullahu.
Ai tutja dha sqarime të tjera për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave për energji elektrike.
“ZRRE nuk ka hyrë në shqyrtim të jashtëzakonshëm për shkak të kësaj çështje, por ZRRE e ka për obligim që konform legjislacionit në fuqi që në momentin që në rast të licencuarit e tejkalojnë pragun e materialitetit prej 5 për qind në raport me të hyrat që kemi lejuar ne kemi për obligim që automatikisht të hyjmë në shqyrtim të jashtëzakonshëm për shkak se mbërrihet kriteret për shqyrtim të jashtëzakonshëm. Ka qenë në shkurt dhe është përfunduar në këtë muaj, mirëpo meqenëse është rihapur në dhjetor për shkak se siç e theksuam edhe parashikimi i importit i cili është bërë nga ana e ZRRE ka qenë shumë më i madh i realizuar nga ana e KEDS, sa për informatën tuaj ne kemi paraparë diku për KEDS rreth 88 milionë euro import ndërsa janë realizuar deri në dhjetor rreth 100 milionë euro, që do të thotë një diferencë prej 12 milionë euro vetëm tek kosto e importit. Prandaj, ZRRE e ka pasur për obligim që ta hap shqyrtimin e dytë të jashtëzakonshëm konform legjislacionit në fuqi dhe besoj që ajo është sipas kërkesave ligjore jo për shkak se KEDS-i dhe KESKO kanë kërkuar”, theksoi ai.
Deputeti Hyseni u interesua të di nëse ZRRE do të aplikoj skenarët tjerë në vitin 2023 në rast të vazhdimit të krizës energjetike. Sipas tij, rregullatori i energjisë me qejf po e bënë rishqyrtimin e tarifave.
“Skenarët tjerë që mund t’i aplikoni si ZRRE në vitin 2023 në rast të vazhdimit të krizës energjetike në vend cilët janë skenarët tjerë përveç rishqyrtimit të tarifave se unë mendoj se rishqyrtimi i tarifave është më e lehta e mundshme dhe po më duket puna që me qejf po e bëni në ZRRE”, u shpreh ai.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së tha se janë të gatshëm të ofrojnë përvojën e tyre për menaxhim të krizës, por menaxhimi i krizës i takon Ministrisë së Ekonomisë.
“Menaxhimi i krizës i takon ministrisë së Energjisë ju e dini që ata kanë për obligim në momentin e ndodhjes së një krize komplet menaxhimi i krizë është i Ministrisë së Ekonomisë, dhe në këtë rast menaxhmenti bashkë me rregullatorin jemi pjesë e atij komiteti dhe do ta ofrojmë edhe përvojën tonë dhe gatishmërinë tonë në menaxhimin e krizave”, theksoi Fejzullahu.
Kundërshtime për shtrenjtim të tarifave të rrymës pati edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj im cili këtë veprim e konsideroi si gabim trashanik.
Ndërsa, Lekaj u interesua edhe për zbatimin e marrëveshjes për Elektroseverin.
“Por, sot në vitin 2023 prapë mendoj që të vini deri tek ngritja e faturimit të çmimit të energjisë elektrike është e pakuptimit dhe nuk e keni pas fare për bazë gjendjen ekonomike, pagat e ulëta, ngritja e çmimeve enorme bazike. Mendoj se po e bëni një gabim trashanik që të vini prapë të shtrenjtimi i energjisë elektrike. Për Elektroseverin ku ka mbetur ajo marrëveshja sepse kanë qenë afate e licenca dhe nëse ne bëjmë shtrenjtimin e energjisë elektrike për qytetarët tanë dhe ne po paguajmë për qytetarët tanë që janë në veri të Kosovës është një diskriminim ka shkuar shuma marramendëse që ne paguajmë diku 100 milionë për qytetarët që nuk paguajnë rrymën dhe ne prapë po ngrisim çmim dhe po i atakojmë anën tjetër të qytetarëve”, u shpreh Lekaj.
Fejzullahu theksoi se ZRRE është duke kryer obligimet konform marrëveshjes për Elektroserverin.
Sipas tij, edhe palët tjera kanë obligime në këtë marrëveshje të Brukselit.
“Një prej pikave që ka qenë obligim i ZRRE e ka përmbyllur e ka përmbushur që ka qenë dhënia e licencës konform marrëveshjes së Brukselit ndërsa pikat tjera janë obligime për palët tjera, ZRRE si pjesë mbështetëse e grupit negociator është duke kryer obligimet konform kësaj marrëveshje, ndërsa palët tjera mbetet që t’i kryejnë obligimet të përcaktuar në udhërrëfyesin në Bruksel. Nuk është mirë me i dezinformuar qytetarët se prej vitit 2018 është mirë me thënë që kosto e veriut ka qenë e përfshirë në tarifat e konsumatorëve nga viti 2018 ajo kosto nuk është e përfshirë në tarifat e konsumatorëve dhe si e tillë nuk hynë dhe ZRRE edhe po të dëshiron nuk ka të drejtë meqenëse ka një vendim të gjykatës prandaj tarifat e propozuara për këtë vit, vitin e kaluar dhe prej vitit 2018 asnjëherë asnjë cent asnjë kosto nuk është e përfshirë në kuadër të kalkulimit të tarifave nga ana e konsumatorëve”, tha ai.
Lekaj u shpreh se meqenëse Elektoseveri nuk po e përmbush asnjë obligim, të shqyrtohet edhe tërheqja e licencës për këtë operator.
“Kanë kaluar të gjitha afatet dhe obligimet që i keni të përshkruar në licencë nuk i ka përmbushur pse po doni me mbrojtur një marrëveshje të tillë një mos përmbushje të veriut dhe po heshtni kur dihet se ai ka pasur afate të caktuar për të sjell listën e konsumatorëve për të vepruar në terreni dhe ju ende heshtni. Duhet me trajtua konsumatorët si në veri si në jug si kudo dhe ju nuk mund të thoni se unë nuk po e them të vërtetën. Kjo qasje e juaj po i dëmton qytetarët, këtë sektor me rëndësi jetike për Kosovën dhe mendoj se duhet sa më shpejt të merrni masa pozitive e jo negative për qytetarët tanë. Deri më tani nuk e kam parë se kanë zbatuar asnjë obligim të tyre dhe duhet me fillua me shikua nëse dikush nuk i përmbush duhet të tërhiqet licenca”, pyeti ai.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila krahas shumë pyetje për disa rregullativa që janë paraparë të miratohet nga ZRRE këtë vit, kërkoi të di se për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave a janë marr parasysh vetëm kërkesat e KEDS dhe KESKO.
“A është që vetëm kërkesat e KEDS KESKO po merren parasysh tash në kërkesën e shqyrtimit të tarifës”, pyeti ajo.
E kryesuesi i Bordit të ZRRE-së tha se krahas kërkesave të KEDS dhe KESKO janë përfshirë edhe të gjitha investimet në transmision dhe distribucion.
“Janë të përfshira edhe investimet edhe shpenzimet shtesë nga ana KEDS, ZRRE ka për obligim që të gjitha kostot që janë të arsyeshme t’i përshijë në kalkulimet e tyre përfundimtare. Edhe investimet që priten të bëhen këtë vit në KEK kanë pas ndikim në koston e importit sepse dy gjeneratorët më të mëdhenj në Kosovë do të jenë jashtë funksionit më tepër se 90 ditë blloku B1 dhe B2 gjatë këtij viti me bilancin energjetik është paraparë të kem investime kapitale e çka do të thotë kjo se ajo energji që është dashur të blihet nga ana e KESCO, KOSTT dhe KEDS me çmimin 29 euro dhe 36 euro duhet me blihet me çmimet e treguat që janë të paraparë nga ZRRE që janë 150 euro dhe 160 euro për MW në këtë periudhë tarifore”, u shpreh ai.
Ndërsa, lidhur me rregullën për konsumatorët vetë prodhues të energjisë që është paraparë të ndodh në tre mujorin e parë të këtij viti, Fejzullahu tha se kjo pritet të ndodh së shpejti, meqenëse ka qenë pamundur për shkak se mbledhja e kaluar ka qenë e stërngarkuar me pika të rendit të ditës.
Gjatë këtij raportimit anëtarët e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë u shprehen se kanë paraparë që edhe në vitin 2023 ta monitorojnë KEDS dhe KESKO lidhur me kushtet e përgjithshme, shërbime që u ofrohen konsumatorëve, importet, etj.
E pas përfundimit të raportimit të Bordit të ZRRE-së, ishte deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku propozoi që si Komision i Ekonomisë të dalin me rekomandim se janë kundër rritjes së tarifave të energjisë elektrike.
Por, Kusari-Lila u shpreh se ka qenë periudha zyrtare për rekomandime dhe çdo veprim tjetër mund të konsiderohet si cenim në pavarësinë e rregullatorit.
Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike pritet të mblidhet sot në orën 15:00 dhe të vendos për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike për 15 për qind.
Komisioni në fund miratoi Planin e Përformancës së ZRRE-së për vitin 2023. /KP/