LAJMI I FUNDIT:

Politikë e nxehtë në dimër të ftohtë!

Problemet që po dalin në pah ditëve të fundit në politikën e Kosovës përmes deklaratave fyese dhe shantazhuse në adresë të njeri tjetrit, burimin e kanë me 25 korrik të vitit kaluar.

Situata e rëndë ekonomike që ka përfshi vendin, po reflekton me një politikë të deklaratave pompoze në këtë dimër të ftohtë kur më shumë se kurrë ndiqet situata përmes mediave për shkak të motit të ftohtë. Ky është momenti ideal për tu “promovua” politika e individëve, grupeve dhe partive, sepse qytetari s’ka punë më të mençur në këtë të ftohtë.


Nëse i analizon me gjakftohtësi rrjedhat politike nuk është vështirë të vihet në përfundim se kjo që po ndodh në Kosovë nuk është aksidentale, siç nuk është e rastësishme kriza morale që ka përfshi shoqërinë në përgjithësi. Sepse, si rezultat i kësaj politike, që duke reflektuar në krijimin e krizës ekonomike ka krijuar një vetëdije të gabuar tek qytetarët, sa që çdo gjë që nuk është në rregull në jetën e përditshme, të thonë “kjo është politikë” që të lë të nënkuptosh se politika qenka art i mashtrimit, i rrenës dhe i vjedhjes.

Krijimi i një kulture politike të gabuar që nga paslufta në Kosovë ka vënë në pikëpyetje perspektivën e qytetarëve në një të afërme, si dhe ka nxjerrë defektet kolektive të shoqërisë në Kosovë për bërjen e shtetit. Problemet që po dalin në pah ditëve të fundit në politikën e Kosovës përmes deklaratave fyese dhe shantazhuse në adresë të njeri tjetrit, burimin e kanë me 25 korrik të vitit kaluar.

Akrobacionet politike dhe vendimet e papërgjegjshme të Hashim Thaçit, të pa analizuara mirë, futën në kurth edhe pjesën më të madha të opozitës, të cilët duke mos e njohur papjekurinë politike të tij, bën një tifozëri të pavetëdijshme, e cila sot po ju kushton atyre dhe qytetarëve të Kosovës.

Me 25 korrik 2011 u bë një veprim për të “zgjidhur” një çështje problematike në Kosovë dhe për muaj të tërë u maltretua qytetari me deklarata “s’ka kthim prapa”, sikur gjoja u bë ndonjë hap para. Në fakt Kosova humbi një policë në detyrë dhe ky “aksion” legalizoi strukturat paralele dhe krimin e organizuar në pjesën veriore të Kosovës, duke i bërë faktorë këto struktura me te cilat filluan të takohen të gjithë faktorët relevant ndërkombëtarë në Kosovë, si dhe të ndikojë në agjendën e bisedimeve gjoja teknike në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Dhe tash në fund nuk përjashtohet mundësinë që edhe vetë institucionet e Kosovës të hynë në bisedime me këto struktura. Kjo nuk ishte e vetmja “arritje e madhe” e atij veprimi dhe tifozërie të opozitës! Pasoi përçarja e opozitës në veprime dhe në qasje, si dhe u nxor në skenë përsëri se kush është më patriot se tjetri, kush e kishte veshur e kush jo uniformën e UÇK-së, dhe kush është më Serbi e kush nuk është me të.

Hashim Thaçi si mjeshtër i kalkulimeve politike në situata të caktuara për interes të tij dhe një mini-grupi që e rrethon, me shumë taktikë e ka gjuajtur topin te niveli i Kamishit e për të orientuar opinionin dhe bashkë me të edhe opozitën për situatën e rëndë politike, ekonomike dhe morale që ka kapluar Kosovën, si dhe për ti krijuar hapësirë në opinion klimës politike për eliminim në hapa të parë të kyçjes ne politikë të Kadri Veselit.

E gjitha që ndodhë nuk është rastësi, por një gjë është e vërtetë se në Kosovë, si në laborator eksperimental janë duke vuajtur qytetarët e saj dhe me këtë garniturë politike dhe këtë mentalitet, e ardhmja e saj është në pikëpyetje.

(Autori është kryetar u Bashkimit Demokratik dhe ish deputet i Kuvendit Kosovës)