Këngëtari nga Tetova Shpat Kasapi, ka ndërruar jetë ditën e sotme (26 nëntor), ndërsa ky lajm ka tronditur personat nga të gjithë sferat shoqërore.

Bartësit e funksioneve publike në Maqedoninë e Veriut, kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e Shpat Kasapit, ndërsa thonë se ai ka lënë pas trashëgimi të çmuar artistike.


Më poshtë i keni ngushëllimet e disa prej politikanëve nga Maqedonia e Veriut:

Ali Ahmeti:

Herët Shpat, shumë herët. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes dhe miqve të Shpat Kasapit për ndarjen e tij të papritur nga jeta në moshë kaq të re.

Bilall Kasami:

Me dhembje të thellë mora lajmin për ikjen nga kjo botë të këngëtarit tetovar Shpat Kasapi. Tetova humbi birin e saj dhe një artist të madh, i cili ndër vite ka qëndruar në majat e suksesit! Ngushëllime familjes, miqëve dhe gjithë qytetarëve të tetovës për këtë humbje kaq të madhe! Allahu e shpërbleftë me xhennet!

Izet Mexhiti:

Me dhimbje të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi. Ikja e tij e papritur ka lënë një boshllëk të madh te familja, miqtë dhe të gjithë ata që e vlerësonin artin e tij. Shpati la pas një trashëgimi të çmuar artistike dhe kujtime që do të mbeten gjatë në zemrat e publikut. Muzika e tij është një vlerë që nuk shuhet. Në këtë ditë të rëndë, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Kasapi, të afërmve dhe gjithë komunitetit artistik. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij, dhe u prehtë në paqe.