20 kamera sigurie u çmontuan nga Policia në Fier dhe Lushnjë, në kuadër të operacionit “Fijet” të nisur dy javë më parë. Sipas uniformave blu, 5 kamera sigurie ishin vendosur në kundërshtim me ligjin në lagjet “8 Shkurti” dhe “Liri” në qytetin e Fierit.
Ndërsa 15 kamerat e tjera të çmontuara, ishin vendosur në mënyrë të paligjshme në lagjet “18 Tetori” dhe “Loni Dhamo” në Lushnjë. Policia thotë se kamerat dyshohet të jenë vendosur për qëllime kriminale dhe për të monitoruar, ashtu si në qytete të tjera lëvizjet e autoriteteve.
Nën hetim u vunë pesë shtetas mes të cilëve, Sajmir Taullau dhe Klevjol Ahmetaj, të njohur për Policinë e Lushnjës për përfshirje në aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve.
Banesa e familjes Taullau ku ishin vendosur kamerat, në vitin 2019 iu vendos një sasi tritoli.
Nga verifikimet, kamerat ishin vendosur pa marr më parë lejen e posaçme nga policia vendore dhe dyshohet se përdoreshin nga këta persona për monitorimin e territorit./Tv Klan