LAJMI I FUNDIT:

Policia nis implementimin e planit operativ ‘Siguria në shkolla’

Policia nis implementimin e planit operativ ‘Siguria në shkolla’

Për kundër angazhimeve të shumta të tjera qe ia ka policia, si dhe angazhimin në planin operativ për gatishmëri dhe reagim për COVID-19, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, policia në DRP Mitrovice Jug, sot ka filluar implementimin e planit operativ ‘Siguria në shkolla’, plan ky që ka për qëllim afrimin e sigurisë për nxënësit e të gjitha niveleve, si në hapësirat shkollore ashtu edhe në rrugët e trafikut rrugor.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Jug, nëpërmjet një komunikate thotë se me kohë ka bërë gjitha përgatitjet e duhura për fillim të implementimit të këtij plani operativ.

“Duke pasur parasysh se brenda planit operativ policor fazat e veprimit janë të njëpasnjëshme për qasje proaktive në fushën e ofrimit të sigurisë, kështu për fazën fillestare Njësia e Trafikut Rrugor në nivel të rajonit të Mitrovicës ka përgatitur planin e veprimit, që ka për qëllim afrimin e sigurisë në rrugët afër dhe përgjatë shkollave, ndërsa në prioritet janë vënë disa nga shkollat fillore, shkolla këto të cilat kanë qasje të drejtpërdrejtë në rrugët magjistrale dhe rajonale. Njësitë policore të trafikut rrugor në zonat afër këtyre shkollave do të shtojnë masat e sigurisë, ku në fokus do të kenë intervalet kohore të ardhje – vajtjes së nxënësve të klasave të para, ku pjesëmarrja e tyre në rrugët e trafikut rrugor është për herë të parë. Bashkë me njësitë e trafikut rrugor brenda planit operativ, për angazhime operative policore janë përgatitur edhe stacionet policore, ku sipas planit që nga sot nëpër shkolla fillore dhe të mesme angazhohen zyrtarë policorë, përfshirë edhe zyrtarë policorë në rroba civile. Gjithë qasja policore për ofrim të sigurisë në objektet edukativo-arsimore do të vazhdojë në bashkërendim me autoritet edukativo-arsimore, si në nivel të drejtorive komunale të arsimit, të drejtorive të shkollave, këshillave të prindërve, këshillave të nxënësve”, thuhet në njoftim.


Policia kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë pjesëmarrësve në trafik, duke respektuar rregullat e trafikut rrugor, “kujdes në zonat dhe objektet e shënjuara ‘shkolla’.