Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit është duke zhvilluar hetime lidhur me veprën penale “Ngacmim”, i cili ka ndodhur më datë 28/02/2023, ora 19:15, në rrugën “William Walker” në Prizren, pranë hyrjes së objektit të banimit “RAFII”.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, sektori i hetimeve pas marrjes së rastit për hetim ka bërë përpjekje maksimale në ndriçim të veprës penale dhe ka siguruar pamjet nga kamerat e sigurisë të instaluara pranë vendit të ngjarjes ku i dyshuari shihet në filmim.
“Pamjet nga kamerat e sigurisë nuk janë shumë cilësore, ndaj edhe pas përpjekjeve të bëra nuk kemi mundur të identifikojmë ende kryesin e kësaj vepre. Vlen të ceket se i njëjti person dyshohet se ka kryer edhe disa raste të tjera të ngjashme në një periudhë disaditore të cilët janë të raportuara në Stacion Policor Prizren”, thuhet në njoftim.
Po ashtu sipas njoftimit, me qëllim që të zbulohet sa më parë vendndodhja dhe identiteti i tij, nga Prokurori i Shtetit lëshohet “Autorizim” për publikimin e fotografive të mara nga kamerat e sigurisë.
“Andaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse kane çfarëdo informate , apo din diçka për vendndodhjen e të dyshuarit në foto, të raportojnë policinë në Prizren, apo në cilin do stacion të policisë në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/