Policia e Kosovës në Ferizaj, ka njoftuar se në fshatin Stagovë tė Kaçanikut, në lagjen "Teneqja"  është raportuar për një mjet të dyshuar të pashpërthyer.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë FSK dhe Njësia e Deminimit nga KFOR-i, të cilët kanë kryer inspektimin dhe kanë rekomanduar në marrjen e masa për ta deminuar atë mjet të mërkurën më 30 prill prej orës 09:00 deri në ora 13:00.


“Më datë 30.04.2025 (e mërkurë), në periudhën nga ora 09:00 deri në ora 13:00, do të realizohet eksplodimi i kontrolluar i mjetit të dyshuar shpërthyes, i dyshuar si i luftës së dytë botërore. Masat që duhet të respektohen: Zona e rrezikut është vlerësuar me një rreze prej 1000 metrash nga vendi ku ndodhet mjeti shpërthyes. Brenda kësaj zone ndalohet rreptësishtë qëndrimi i njerëzve. Ndërsa rekomandohet largimi në vend të sigurt i kafshëve dhe makinerive”, thuhet në komunikatë.

Policia kërkon nga banorët e lagjes "Teneqja" në fshatin Stagovë që të mbajnë dritaret e shtëpive të hapura për shkak të valës së mundshme të shpërthimit, e cila mund të shkaktojë dëme materiale.

“Po ashtu banorët duhet të largojnë veturat në vende të sigurta si garazhe ose pas shtëpive. Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Emergjenca do të jenë në gjendje gatishmërie dhe të pranishëm në një zonë të sigurt, për të reaguar në rast nevoje.Policia do të njoftojë banorët përreth dhe do të sigurojë që, në datën dhe orët e lartcekura, të mos ketë persona jashtë shtëpive. Këshillohet që banorët brenda rrezes 1000 metra të largohen nga shtëpitë para fillimit të operacionit dhe të qëndrojnë larg deri në përfundim të eksplodimit. Ju lutemi për mirëkuptim dhe bashkëpunim në respektimin e këtyre masave për sigurinë tuaj dhe të të gjithëve”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë në Ferizaj./Telegrafi/