LAJMI I FUNDIT:

Policia: Gjendja aktuale e sigurisë, e qetë dhe stabile

Policia: Gjendja aktuale e sigurisë, e qetë dhe stabile

Policia e Kosovës (PK), vlerëson se gjendja aktuale e sigurisë së përgjithshme në Kosovë është e qetë dhe stabile.

Në komunikatën për media thuhet se në kontinuitet Policia e Kosovës, në aspektin e sigurisë bën vlerësimet e  nevojshme me qëllim të përcjelljes së trendëve apo situatës që ndërlidhet me zhvillimet në vend dhe më gjerë.

“Aktualisht PK-ja ka në implementim disa veprime operacionale të planifikuara, që ndërlidhen me manifestimet për festat e Pashkëve, e që një qasje e tillë policore aplikohet edhe në rastet e tjera të manifestimeve të ndryshme, që kanë të bëjnë me  ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve dhe parandalimin e çfarëdo incidenti të mundshëm. Policia e Kosovës çmon lart bashkëpunimin me komunitetet fetare lidhur me manifestimin e këtyre festave dhe po ashtu falënderon të gjithë qytetarët për nivelin e lartë të vetëdijes qytetare për të respektuar të drejtat dhe liritë e të gjitha komuniteteve, si një nga vlerat fundamentale të shoqërisë demokratike”, thuhet në njoftim.


Njëkohësisht Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunimin e ndërsjellë të treguar, bashkëpunim ky i mirëpritur nga PK-ja, i cili në vazhdimësi po tregon rezultate pozitive në realizimin e detyrave policore dhe sigurisë së përgjithshme në vend.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e planifikimeve të saja operacionale, me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend, si dhe parandalimin e incidenteve të çfarëdo natyre. /Telegrafi/