Polestar 3, SUV-i i madh elektrik i prodhuesit suedez Polestar, ka vendosur një rekord të ri Guinness për distancën më të gjatë të udhëtimit me një karikim të vetëm, duke përshkuar 935.44 kilometra.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, rrugëtimi zgjati 22 orë e 57 minuta dhe u zhvillua në kushte të ndryshme moti, përfshirë shiun.


Vozitës të ndryshëm profesionistë ndryshonin çdo tre orë për të ruajtur vigjilencën.

SUV-i arriti një efikasitet prej 12.1 kWh për 100 kilometra dhe kishte akoma 20% bateri kur tejkaloi distancën e WLTP-së prej 706 km.

Polestar 3 madje arriti edhe 12.8 kilometra shtesë pasi bateria tregonte 0%, duke mbërritur te një karikues para se të ndalonte plotësisht.

Reagimet nga drejtuesit e Polestar theksuan se performanca dëshmon për avancimin e madh të kapacitetit të baterive në vitet e fundit.

Automjeti përdori rrota standarde 20-inç dhe goma Michelin Sport 4 EV, pa asnjë modifikim për këtë rekord.

Ngjarja u mbikëqyr nga gjyqtarja e Guinness World Records, Paulina Sapinska, dhe dokumentimi u verifikua me video, GPS dhe të dhëna të tjera të pavarura. /Telegrafi/