Site icon Telegrafi

Polakët e Legias kritikuan fushën e “Fadil Vokrrit”, Agim Ademi i demanton me reagimin e tij

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka reaguar pas kritikave të trajnerit dhe lojtarëve të Legias për gjendjen e stadiumit Fadil Vokrri në Prishtinë.

Mbrëmë (e enjte), Drita ishte nikoqire e Legia Varshavës në ndeshjen kthyese të “play-off”-it të Ligës së Konferencës, ku u mposht 1-0 dhe humbi mundësinë për të siguruar kalimin në grupe.

Pas ndeshjes, trajneri i Legias, Goncalo Feio dhe veterani Tomas Pekhart u ankuan në gjendjen e fushës ‘Fadil Vokrri’, duke pasur kritika me tapetin.

Megjithatë, nuk ka vonuar shumë dhe i pari i FFK-së, Agim Ademi, ka reaguar ndaj këtyre zërave.

Ademi ka thënë se “fusha është hibride dhe e standardeve më të larta, prandaj konstatimet e tilla nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin”.

Reagimi pa ndërhyrje i Agim Ademit:

Kështu duket sot fusha e stadiumit ‘Fadil Vokrri’ pas ndeshjes Drita – Legia.

Edhe pse gjatë punimeve të kësaj fushe ka marrë kohë me temperatura shumë të larta, fusha është në gjendje shumë të mirë.

Arsyetimet e trajnerit të Legias se për shkak të fushës së dobët nuk patëm lojë nuk qëndrojnë, sepse të gjithë e dinë se fusha është hibride dhe e standardeve më të larta, prandaj konstatimet e tilla nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin.

Fusha është aty dhe mund të vizitohet nga çdokush dhe të kënaqet me një fushë e cila është e kualitetit të fundit. Falënderojmë MKRS-në dhe ministrin Hajrulla Çeku për investimin në këtë fushë, e cila ka arritur standarde të shkëlqyeshme.

E gëzofshin të gjithë ata që kanë mundësi të luajë në këtë fushë dhe besoj fuqishëm që më së miri këtë e vlerësojnë futbollistët.

Uroj që në këtë fushë Kombëtarja jonë ta nisë mbarë edicionin e ri të Ligës së Kombeve kundër Rumanisë.

Po ashtu, ftoj të gjithë që të jenë në përkrahje të Kombëtares, sidomos Dardanët që të jenë në stadium sa më kreativ e në nivel si gjithmonë.

/Telegrafi/

Exit mobile version