Rregullatorët zviceranë kanë thënë se janë të gatshëm ta ndihmojnë gjigantin bankar Credit Suisse “nëse është e nevojshme”, duke thënë se banka nuk është në rrezik.
Deklarata erdhi pasi aksionet në bankë ranë për 24 për qind, i cili është një nivel rekord i ulët.
Investitorët janë të shqetësuar se si banka, e rrethuar nga problemet, do të trajtojë pasojat nga dështimet e bankave amerikane.
Këto shqetësime nxitën shitjen e shumë aksioneve bankare, raporton bbc.
Banka Kombëtare Zvicerane (SNB) dhe Autoriteti Zviceran i Mbikëqyrjes së Tregut Financiar përmes një deklarate të përbashkët pohuan se rregullat strikte të zbatuara prej institucioneve financiare zvicerane “sigurojnë stabilitetin e tyre”.
“Problemet e disa bankave në SHBA nuk paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për tregjet financiare zvicerane”, thanë rregullatorët.
“Credit Suisse plotëson kërkesat e kapitalit dhe likuiditetit të vendosura për bankat me rëndësi. Nëse është e nevojshme, SNB do t’i sigurojë [Credit Suisse] likuiditet”, pohuan më tutje ata.
Ndryshe, problemet në sektorin amerikan bankar filluan javën e kaluar me felimentimin e Silicon Valley Bank, banka e 16-të më e madhe në vend.
Banka – e specializuar në kreditimin e kompanive të teknologjisë – u mbyll nga rregullatorët amerikanë të premten në atë që ishte dështimi më i madh i një banke amerikane që nga viti 2008. /Telegrafi/