Suksesi nuk është më vetëm titulli i lartë, zyra me pamje panoramike apo paga me shumë zero. Gjithnjë e më shumë gra po zgjedhin rrugën e tyre - lirinë e zgjedhjes dhe paqen në përditshmëri

Sa herë e ke dëgjuar frazën e famshme: mund t’i kesh të gjitha! Edhe karrierë mbresëlënëse, edhe shtëpi të rregulluar përsosmërisht, edhe prindërim të përkushtuar, ndërkohë që, natyrisht, dukesh e shkëlqyer, i mban lidhjet me familjen e miqtë, arsimohesh e ushtron aktivitet fizik? Me siguri shumë herë, sepse ky është narrativi që u serviret grave që nga dita kur hynë në tregun e punës.


Me të hyrë aty, supozohet se do të dominojnë, karriera vlerësohet vetëm nëse ndjek metrikat klasike të suksesit: ngjitjen në hierarkinë e kompanisë, kostumin, takat dhe titullin që tingëllon bukur, bashkë me zyrën me pamje.

Megjithatë, koncepti tradicional i suksesit nuk është i vetmi. Ambiciet nuk duhet të realizohen domosdoshmërisht përmes ngritjes në “hapësirë pune të hapur”, pagës shumë më të lartë apo makinës në garazh. Shumë gra e kanë arritur këtë pikë dhe kanë ndier nevojën të dalin nga ky rreth i mbyllur. Ndërsa ato që mbetën në korporata i kanë riformësuar ambiciet e tyre, dhe përditshmëria e tyre sot duket krejt ndryshe.

Pas gjithë këtyre ndryshimeve, çfarë është vërtet ambicia? Ekuilibër - mes punës dhe gjithçkaje tjetër

Në botën e biznesit shpesh dëgjohet shprehja “Balancë mes punës dhe jetës”. Por kjo është e gabuar, sepse nënkupton që në njërën anë të peshores është puna, ndërsa në anën tjetër jeta.

Në realitet, kjo peshore ka shumë më tepër aspekte: shëndetin fizik, shëndetin mendor, obligimet shtëpiake dhe ato ndaj fëmijëve, kohën me partnerin dhe miqtë, udhëtimet, hobet… Të gjitha duhet të jenë në ekuilibër, sepse sapo i japim përparësi punës, përfundojmë në djegie emocionale, më herët apo më vonë, transmeton Telegrafi.

Rawpixel Ltd.

Zgjedhja - karriera në formën që na përshtatet më shumë

Shkuarja përditë në zyrë është karakteristikë e tregut të punës para pandemisë. Që nga ajo kohë gjithçka ka ndryshuar. Pasi punonjësit kuptuan se mund të zgjedhin ku do të punojnë, kërkuan edhe të zgjedhin kur. Fillimisht me zë të ulët, pastaj gjithnjë e më fort, ata kërkuan që kompanitë t’i mbështesin dhe t’i inkurajojnë. Dhe shumë kompani e bënë këtë, për të mbijetuar. Të tjerat u përballën me kriza PR-i, padi dhe rënie të vlerës së aksioneve.

Kështu, edhe ata që mbetën në sistemin e bizneseve fituan përfitime të reja që ndikojnë thellë në stilin e jetesës. Ndërsa të tjerët iu kthyen formave të tjera të punës që ofrojnë liri: sipërmarrje, freelance apo hapjen e bizneseve personale.

Paqja është bërë ambicia jonë përfundimtare

Jemi të rrethuar nga sfida të mëdha të përditshme që janë jashtë kontrollit tonë. Pesë vitet e fundit, nga pandemia globale e më tej, kemi përjetuar frikë, panik, dezinformata dhe konfuzion. E duket se kaosi rreth nesh vetëm po rritet. Pikërisht për këtë arsye, dëshira për paqe në mjedisin tonë të afërt, atë që mund ta kontrollojmë - është bërë më e madhe se kurrë.

Shumë më tepër se titujt pompozë apo zyrat me mermer, duam një jetë më të qetë, më të thjeshtë dhe më të plotësuar. Kjo është diçka që e kemi plotësisht nën kontrollin tonë.

Ka shumë mënyra për të pasur një karrierë të suksesshme edhe jashtë normave tradicionale

Ngjitja në shkallët korporative është ende një ambicie legjitime dhe e admirueshme. Por është e rëndësishme të dimë se karrierë të suksesshme mund të ndërtojmë edhe jashtë atyre kornizave.

Nga pronaret e brendeve të vogla prodhuese, te edukatoret dhe trajnerët, sot ka shumë më shumë mundësi dhe shtigje të shtruara nga ato që kanë ardhur para nesh. Zgjedhja ekziston, dhe është në dorën tonë ta bëjmë me reflektim të mirë, komunitet mbështetës dhe besim në veten dhe aftësitë tona. /Telegrafi/