Majlinda Kelmendi po ia zdrit fytyrën Kosovës me sukseset e njëpasnjëshme në gara të ndryshme ndërkombëtare. Por, sa po bën vendi i saj për të? Edhe pse ka marrë mbështetje të kohëpaskohshme, kjo nuk është e mjaftueshme për xhudisten pejane dhe shoqet e saj të klubit “Ippon”. Në fakt, në qendrën stërvitore ku ushtrojnë xhudistët pejanë ka nisur qysh tash të ndihet i ftohti. Në mungesë të mbështetjes financiare nga ana e Komunës së Pejës, Majlinda me shoqe e shokë po ushtrojnë në temperatura të ulëta.

Ky fakt po e brengos shumë trajnerin, Driton Kuka. Sipas tij, kjo mund të ndikojë në rënien e formës së Majlindës, e cila meriton kushte më të mira për t’u përgatitur për sfidat e rëndësishme që e presin në karrierë, shkruan Zëri.


“Hallka e dobët mbetet Komuna, zyrtarët e së cilës asnjë rresht urimi nuk e shkruajnë askund kur arrijmë suksese. Jo vetëm kjo. Problemi më shqetësues është se sivjet nuk është dhënë asnjë cent nga Komuna për klubin ku stërvitin olimpistët. Ata në orën 06:00 të mëngjesit kanë stërvitur në temperatura të tmerrshme e të mos flas gjatë dimrit. Kjo është demotivuese, kur Majlinda stërvit në kushte të tilla”, ankohet Kuka, në një bisedë për “Zërin”.

Së fundmi këtë temë e kishte prekur edhe Majlinda, e cila ishte ankuar se nuk ka kushte të mjaftueshme për të ushtruar. Sipas saj, në vendin ku ushtron gjatë dimrit temperaturat do të zbresin deri në -10 apo -15 gradë celsius. Ajo ka treguar se shkon në stërvitje në mëngjes me çorape të leshta, me duks dhe kimone, ndërkohë që u ankua në zyrtarët komunalë, të cilët ende nuk e kanë derdhur asnjë cent në llogarinë e këtij klubi që ka nxjerrë kampionë botërorë e evropianë.

Madje, trajneri Kuka kishte menduar që ai me sportistë ta ndërrojnë lokacionin, duke e zgjedhur ndonjë qytet tjetër ku do të çmoheshin më shumë, pasi garueset që i afrohen nivelit të Majlindës në shtetet tjera kanë kushte 10-fish më të mira e sukses më pak. Vitin e kaluar, Komuna kishte ndarë 10.500 euro për klubin “Ippon”, kurse sivjet palët janë dakorduar për gjysmën e tyre. Por, as ato nuk u janë dhënë. /Zëri/
 

telegrafi sport app