A po e ndërron Max Verstappen ekipin? Një transferim i bujshëm po zihet në Formula 1

Katër herë kampioni i botës, Max Verstappen, mund të ndryshojë sezonin e ardhshëm ekipin për të cilin garon në Formula 1, pasi po flitet gjithnjë e më shumë për një largim të mundshëm nga Red Bull.
Ekipi i Red Bull nuk prodhoi një makinë konkurruese këtë vit për të luftuar për titullin e kampionit, rregulla të reja hyjnë në fuqi sezonin e ardhshëm dhe është e pasigurt se cila është e ardhmja e këtij ekipi.
E gjithë kjo po e bën Verstappen të marrë në konsideratë ndryshimin e ekipit, dhe Sky Italia raporton se holandezi është në negociata të gjera me ekipin e Mercedes.
Verstappen ka qenë tashmë në negociata me shefin e Mercedesit, Toto Wolff, dhe George Russell e konfirmoi këtë në një intervistë, duke folur për statusin e tij te Mercedes.
Ai zbuloi se kontrata e tij, e cila skadon në fund të sezonit aktual, nuk është zgjatur ende pasi Mercedes vazhdon të përpiqet të nënshkruajë me Verstappen.
"Më pëlqen ajo që thotë George dhe gjithmonë do ta mbështes pilotin tim. Nuk ka asgjë që do ta ndaloja të thoshte. Brenda ekipit jemi shumë të hapur për gjithçka që bëjmë dhe planifikojmë, dhe kështu ka qenë që kur mora drejtimin. Nuk ka problem me këtë", ka thënë fillimisht Wolff, duke konfirmuar se ka komunikim me Verstappen, kontrata e të cilit me Red Bull është deri në vitin 2028, por përmban klauzola të ndryshme daljeje.
"Tingëllon sikur po e pyesim 'kur do të vinte dhe në çfarë kushtesh', dhe kjo nuk është mënyra se si punojmë. Dua që këto biseda të zhvillohen privatisht, jo në nivelin e takimeve publike. Kemi dy pilotë që kanë qenë në programin tonë për një kohë të gjatë, tek të cilët kam besim të plotë dhe që do të jenë të rëndësishëm për të ardhmen e ekipit. Prandaj, situata është disi e ndryshme”.
Wolff pranoi se mbërritja e Verstappen është ende shumë larg.
"Askush nuk tha 'do ta nënshkruajmë me Max-in'. Kjo është shumë larg realitetit për momentin", përfundoi shefi i Mercedesit. /Telegrafi/




















































