Në qoftë se nuk do të ndalej nga Policia e Kosovës, nuk e dimë se cilat do të ishin pasojat e ndërmarrjes së guximshme të Hasanit me bager? Gjithsesi edhe një skenar nuk do të mund të përjashtohej. Është ai i goditjes së tij me ndonjë plumb nga snajperët e vendosur në pjesën veriore të Mitrovicës. Ja që një ngjarje e këtillë hipotetike do të mund ta prishte rutinën e javëve të fundit në veri. Mirëpo, kjo do të ishte një prishje fatkeqe. Çka pastaj?!

RUTINË. ÇDO GJË rreth veriut javëve të fundit është kthyer në rutinë. Dhe si çdo rutinë tjetër, shpesh edhe kjo është e mërzitshme. Gjithçka sillet në rreth me role qartësisht të ndara. Pushteti çdo ditë jep deklarata të forta për mos lëshim pe dhe kalon në ditën tjetër kur do të përsëritë të njëjtat. Opozita, varësisht nga hallet që i ka, e bën të veten, ose duke ia lënë krejt përgjegjësinë pushtetit, ose duke thënë që pushteti s’po bën gjë. Serbët nga ana e tyre, heqin një barrikadë aty, dhe e shtojnë një tjetër këtu, teksa edhe ata kalojnë çaste mosmarrëveshjesh pushtet-opozitë. Ndërkombëtarët shkojnë e vijnë e flasin për “ide të reja”, pavarësisht se sa prej tyre e kanë me seriozitet këtë e sa të tjerë për shkak se s’dinë ç’të thonë tjetër. Edhe ne në media bëjmë pjesën tonë të detyrës, çojmë reporterët në të shumtën e kohës të ura në Mitrovicë, prej ku shikojmë raportet e drejtpërdrejta që flasin kryesisht për situatë të qetë, por të tensionuar. Një sinkroni gati perfekte kjo. Mirëpo, a s’ndodh që pas qetësisë së këtillë të vijë stuhia?
Ja që shpesh edhe kjo në mënyrë rutinore ndodh. Veçse nuk dihet se nga cili drejtim fryn stuhia dhe çfarë dëmesh le prapa. Së këndejmi përgjumja që të imponon rutina shpesh bëhet edhe e rrezikshme. Pasi që mund të sjell situata të akteve të kryera, të cilat vështirë të ndryshohen ndonjëherë.


NJË ËSHTË KREJTËSISHT e qartë: Situata në veri të vendit nuk mund të qëndrojë përjetësisht e këtillë siç është tash. Barrikadat gjithsesi se një ditë do të hiqen, qoftë me vullnet të vetë protestuesve, qoftë me forcë, qoftë me dialog. Mirëpo, situata pas heqjes së tyre do të jetë edhe më e vështirë për një zgjidhje se sa që është tash me rrugët e bllokuara. Bllokada në rrugë mund të hiqet lehtë, por çka të bëhet me mendjet e bllokuara?
Po të venerohet vetëm pjesa prishtinase e problemit të veriut, situata ngjan bukur e thartë momentalisht. Në sipërfaqe duket se të gjithë merren me veriun e vendit, kurse në thelb merren me njëri-tjetrin.
Qeveria del dhe thotë se vetëm ata kanë pasur guximin që të ndërmarrin një aksion si ai i 25 korrikut deri më tash dhe se ky është hapi më i madh që e ka bërë dikush për veriun.
Kryeministri del dhe thekson se do të vazhdohet me investime dhe afrimin e serbëve të veriut drejt njohjes së realitetit, gjë që është bërë edhe në të kaluarën.
LDK-ja thotë se përkrah agjendën e qeverisë në veri pasi që bëhet fjalë për interesin nacional dhe se pret që të ketë rezultate konkrete.
AAK-ja propozon administrim ndërkombëtar dyvjeçar për veriun, si mënyrë për t’u implementuar Plani i Ahtisaarit.
Lëvizja “Vetëvendosje!” kërkon veprime konkrete në veri të institucioneve të vendit dhe jo vetëm pritje se çfarë do të ndërmarrë KFOR-i dhe EULEX-i.
Ndoshta, me të drejtë, do të mund të konkludohej se në gjithë këtë tablo nuk ka gjë të keqe. Por, ja që asnjëra palë nuk ka një plan strategjik të qartë se çka konkretisht do të duhej bërë Prishtina për të zgjidhur një herë e mirë problemin e veriut. A ka kush që i shkruan dy-tre reshta në një copë letër? Të gjitha idetë, vërejtjet, veprimet dhe zotimet shkojnë e sillen nga goja në gojë duke u bërë pjesë e debateve të brendshme, të cilat pastaj devijojnë dhe çelin tema të tjera, gjë që vetëm sa e largon vëmendjen e nevojshme për veriun. Ka gjithçka: “nuk do të ketë plan të ri për veriun” (cili ishte i vjetri?!)”, “ministri për Veriun” (ja që zgjidhjen e paskëshim pasur para hundëve, vetëm paskësha munguar emërtimi i duhur për ndonjërin nga shumë resorët, ose zv.kryeministrat e qeverisë!), “ministrave po iu fryn Veriu” (mirë, a do të na tregojë dikush se si ta ndalim këtë frymë?!) e të tjera jo fort larg këtyre. Mirëpo, pa ndikuar me asnjë milimetër në ndryshimin e gjendjes në veri, e duke shkaktuar debate të kota dhe sharje me njëri-tjetrin.
Për t’u kthyer gjithçka sërish në një – rutinë.

KU ËSHTË PLANI? A ka dikush veshë e të kuptojë se kërkohet nga Prishtina një plan i qartë i shkruar e zezë mbi të bardhë për të kontribuuar drejt zgjidhjes së problemit të veriut. Nuk mjaftojnë llafosjet për konsum të brendshëm, e as matja e muskujve të paqenë. Përvoja e dhjetëvjeçarëve të fundit na ka mësuar se sa herë nuk ka pasur një plan nga vendorët, është imponuar një tjetër nga jashtë. Dhe pastaj edhe vendorët dhe gjithë të tjerët janë marrë me problemet e shkaktuara nga një plan i huaj. Leksioni ende nuk është mësuar nga liderët kosovarë.
E këtë i pari duket se e ka vërejtur Hasani i Lagjes së Boshnjakëve. Ai e kishte ndezur bagerin dhe ishte nisur t’i hiqte vetë barrikadat e vëna në urën mbi Ibër.
Hasani, një njeri me dinjitet, ka treguar se durimi ka një fund, por se edhe besimi mund të ketë një fund. Ai gjithsesi të hënën, teksa po ngiste bagerin e tij drejt urës, kishte humbur durimin dhe kishte humbur edhe krejt besimin në ata që do të duhej ta udhëhiqnin. Dhe kishte vendosur ta bënte ligjin me duart e veta.
Në qoftë se nuk do të ndalej nga Policia e Kosovës, nuk e dimë se cilat do të ishin pasojat e ndërmarrjes së tij të guximshme?
Gjithsesi edhe një skenar nuk do të mund të përjashtohej. Është ai i goditjes së Hasanit me ndonjë plumb nga snajperët e vendosur në pjesën veriore të Mitrovicës. Ja që një ngjarje e këtillë hipotetike do të mund ta prishte rutinën e javëve të fundit në veri.
Mirëpo, kjo do të ishte një prishje fatkeqe.
Çka pastaj?!

adriatik@kohavision.net