Klered Bozhanaj, 42-vjeçari i cili plagosi ditën e djeshme edektivin e “Shqiponjave” Edlir Alleshi, është arrestuar këtë të enjte.
Policia bën me dije se në momentin që është arrestuar, Bozhanaj kishte me vete armën e përdorur gjatë krimit, e cila i është sekuestruar.
“Gjatë kërkimeve intensive të zhvilluara për kapjen e shtetasit Klered Bozhanaj, strukturat e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar autorin e dyshuar. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë, e përdorur gjatë krimit”- njofton policia.
Ngjarja ndodhi në “Kinostudio”, në rrugën “Hysen Xhura”, ku Bozhanaj ka qëlluar drejt efektivëve të policisë në momentin që këto po e ndjeknin me motorrë.
Sipas informacioneve 42-vjeçari ishte me precedentë të mëparshëm penalë për lëndë narkotike dhe se ishte përdorues i tyre.
Bozhanaj, kishte pak muaj që ishte kthyer nga Italia ku dhe kishte qenë emigrantë.
Ndërkohë efektivi i policisë, i cili mori një plumb në bark ndodhet jashtë rrezikut për jetën.