Site icon Telegrafi

Pjesa e parë: Kosova dominon ndaj Ishujve Faroe, por nuk pati gola

Ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes ndërmjet Kosovës dhe Ishujve Faroe që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Fraksioni i parë i sfidës së vlefshme për Grupin 3 në ligën D të Ligës së Kombeve, u mbyll pa gola.

Skuadra jonë e pati dominimin dhe iniciativën në 45 minutat e para, mirëpo mungoi konkretizimi.

Të zgjedhurit e Bernard Challandes bënë një lojë sulmuese duke e mbajtur kundërshtarin të mbyllur në pjesëlojën e vet.

Krahas posedimit të mirë të topit, përfaqësuesja nikoqire pati edhe disa raste të mira shënimi.

Theksojmë se tifozët e Kosovës e kanë nderuar edhe një herë legjendën e futbollit shqiptar, Fadil Vokrri.

Në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin e Prishtinës që mban pikërisht emrin e futbollistit legjendar dhe presidentit ikonik të Federatës së futbollit të Kosovës, tifozët kishin përgatitur një koreografi të veçantë.

Në tribuna është ngritur numri 9, i bartur nga Vokrri, si edhe fotografia e tij me mbishkrimin “Our Hero” (Heroi ynë). /Telegrafi/

Exit mobile version