LAJMI I FUNDIT:

Pikat e Tadiçit dhe fshesat tona

Në kohën kur ne ishim të zënë me protestat e 14 janarit, në kohën kur ishim të preokupuar shumë dhe në mënyra të ndryshme me to edhe qeveria edhe opozita edhe mediet edhe analistët edhe qytetarët, Tadiçi në Beograd, ia jepte dorën e fundit projekt propozimit të tij të njohur tashmë si këtërpikëshi. Ne nuk u morëm shumë me këto pika të Beogradit zyrtarë, sepse kishim disa pika shumë të nxehta e më të rëndësishme që zhvilloheshin në rrugët tona konkretisht afër pikave kufitare. Dhe përderisa nuk u ftoh moti që na shtyri të largohemi nga rrugët ne nuk e kuptuam se pikat e Tadiçit ishin goxha të nxehta. Ato, sikundër do ta vërejmë shumë shpejt të gjithë ne, nuk do mund ti largojmë ashtu si i largojnë pikat e shiut fshesat e xhamave, pavarësisht se reagimet nga Prishtina lidhur me këtë propozim ishin të kësaj natyre duke i kualifikuar ato si të papërshtatshme dhe jashtë konceptit të Pakos së Ahtisarit.

Indiciet na thonë, jo vetëm me aludim se, ka gjasa që pikat e Tadiçit të merren seriozisht për tu shqyrtuar nga bashkësia ndërkombëtare, konkretisht nga BE-ja. Disa këto pika i kualifikuan si projekte që mund të realizohen thjeshtë në kuadër të Pakos së Ahtisarit, me përjashtim të njërës prej tyre, ku kërkohet status special për veriun e Kosovës. Në të vërtetë krejt esenca e propozimit qëndron këtu, tek kjo pikë, që gjendjen faktike atje, ku nuk ka prezencë të shtetit të Kosovës, ta përmbushin juridikisht me një prezencë tjetër, pra me status special. Me tri pikat e tjera të cilat bëhen të ditura e shumë të tjera që nuk thuhen, Beogradi zyrtarë mundohet ta plotësoj një kusht ndaj Kosovës të cilën do ta përdorë si çelës justifikues para BE-së se, nuk ka kërkuar në këto pika që Kosova të njihet si pjesë e Serbisë, sado që në kushtetutë e ka të specifikuar kështu dhe të gjitha projekte e deritashme kanë qenë të kësaj natyre.


A do të thotë kjo se, Serbia po heq dorë nga Kosova, me kusht që veriu të marrë status special, apo këtë përshtypje dëshiron ta lë Serbia përkohësisht, që ky inicim të merre hovë, me çka do të arrijë dy qëllime. Në njërën anë para bashkësisë ndërkombëtare do të mundohet të krijoj përshtypje se nëse ajo nuk po heq dorë nga Kosova juridikisht tani për tani, atëherë së paku në të ardhmen nuk do të punoj në bazë të këtij projekti përjashtues, sado që kjo nuk është specifikuar në asnjë mënyrë me atë që thuhet përmes pikave të propozuara, por kjo përshtypje mund të krijohet vetëm duke nxjerrë aludim nga ato që janë lënë pa thënë. Përpjekja tjetër e Serbisë është që me dhe pas këtyre pikave të perceptohet si pragmatike dhe kooperuese dhe atë me të vetmin qëllim që të krijoj premisa më të mira në rrugëtimin e saj drejtë anëtarësimit në BE. Krejt këto që i thamë nuk do të çonin shumë peshë, mbase as që do të kishin ndonjë kuptim, sikur katërpikshin e Tadiçit ta kundërshtonin edhe shtet perëndimore me ndikim. Por kjo nuk ndodhi, përkundrazi ato propozime u morën me seriozitet për tu shqyrtuar dhe analizuar.

Dhe një tjetër indikacion që na jap të drejtë ta shtrojmë problemin kështu sikundër e shtruam, do të nxjerrë krye këto ditë. Mund të konstatohet kështu nëse përcillet me vëmendja ajo që ka bërë dhe bën Brukseli në Ballkan, konkretisht qasjen e saj konceptuale dhe vepruese në këtë rajon. Nëse kemi të drejtë në shtrimin e problemit kështu sikundër po e shtrojmë, nga Brukseli këto ditë duhet pritur një karrot për Kosovën. E nëse do të ndodhë kështu, kjo do të thotë se pas kësaj karote do të kemi një kërkesë dhe kjo kërkesë mund të jetë kërkesa për ta marrë në shqyrtim pikën tinëzare e me sherr të katërpikëshit të Tadiçit, atë lidhur me një status special për veriun e Kosovës.

I gjithë ky parashikim yni nuk është aspak pozitiv, as edhe optimist dhe kësaj nuk i ndihmon shumë as edhe fakti se nga Prishtina zyrtare, edhe pse me vonese, janë refuzuar propozimet e Tadiçit si të papranueshme. Por a ka gjasa që Brukseli t’i qaset gjithë kësaj me disa qëllime dhe parakushte që asaj mund t’i duken pragmatike dhe të zbatueshme. A ka gjasa që të pretendohet se gjendja faktike në veri do të përmbushet juridikisht me një juridiksion të veçantë dhe kjo të arsyetohet me atë se kështu situata do të qetësohet atje dhe në krejt Kosovën për aq sa e gjithë kjo ndikon negativisht në gjithë vendin. A ka gjasa që të mendohet se kështu serbët në veri do të fitojnë diçka, Serbia në anën tjetër do të shpërblehet me nisjen e rrugëtimit të saj për në BE, kurse Kosova do të kënaqet me liberalizimin e vizave dhe do të shpresoj se ndoshta ky status i veçantë i veriut do ti jap asaj mundësi të jetë juridikisht unike dhe ta afroj më shumë veriun drejtë Prishtinës zyrtare sesa që është sot, plotësisht e shkëputur.

Do të doja shumë që të mos kem të drejtë në gjithë këtë që po them dhe ky skenar të mos jetë as edhe i mundshëm. Apo më shumë se kaq, do të ishte mirë që pozita e opozita e jonë të mos dalin më në të ftohtë e të përleshen në vijat kufitare, por të kenë më shumë vullnet e energji gjithsesi edhe kohë dhe që të mendojnë e veprojnë më shumë në drejtim të këtij projekti të Beogradit. Prishtina zyrtare është vonuar për tu marrë si duhet më propozimin e Beogradit për shkak të arsyeve që i ceka më lartë. Unë shpresoj shumë që pozita e opozita nuk do të mendojnë që edhe kësaj here mund të përleshen për reciprocitetin apo për ndonjë gjë tjetër dhe në të njëjtën kohë të mund të merren seriozisht me atë që po vije nga Beogradi e që nuk po kundërshtohet nga Brukseli. Më duket se këto pikat e Tadiçit nuk do të mund Prishtina zyrtare ti largoj si me fshesa xhami sepse ato do të vazhdojnë të rrjedhin sikundër po duket edhe më shumë dhe konsensusin e kërkuar prej tyre duhet ta kompozojnë vetë me qëndrime unike në të mirë të Kosovës.