LAJMI I FUNDIT:

Pesë vjet pas shpalljes së Pavarësisë

Njëqind vjet më parë, Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër vendosi copëtimin e Shqipërisë. Pesë vjet më parë, Kosova shpalli pavarësinë. Nuk janë lajme krejt pa lidhje me njëri-tjetrin. Ka një tjetër konferencë të madhe ndërkombëtare, ajo e Parisit 1919, e cila konfirmoi vendimet e 1913. Duke ju referuar kësaj konference ku u diskutua gjithashtu për fatet e Shqipërisë dhe të Ballkanit, një nga arkitektët e paqes së sotme në Ballkan, ambasadori i ndjerë Riçard Hollbruk, shkroi diçka që i vendos në një farë lidhjeje këto dy ngjarje. Me fjalë të tjera ai tha se sikur vendimmarrësit e saj të dinin më shumë fakte për Ballkanin, mund të mos kishin ndodhur shumë luftëra dhe s’do ishte derdhur aq gjak.

Por, historia është histori dhe ne politikanët duhet të shohim nga e ardhmja, pa e harruar atë. Pesë vjet që nga shpallja i pavarësisë nuk janë vetëm moment festimi. Ato janë një moment shumë i mirë reflektimi për këtë etapë historike kur u vu në vend një padrejtësi e madhe në kurriz të kombit shqiptar që e kishte zanafillën 100 vjet më parë.

Në reflektimet e mia për pavarësinë, veçanërisht në librin tim “Nga sfida në sfidë”, konsideroj se dy janë protagonistët kryesorë të arritjen e saj: lëvizja paqësore e Presidentit Rugova dhe vepra heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk ka në këtë vlerësim kurrfarë përpjekje për të pajtuar të papajtueshmen. Përkundrazi. Fakti që populli shqiptar i Kosovës, administrata shtetërore e tij i konsideron njëlloj protagonistët e tyre, Presidentin Rugova dhe Adem Jasharin, ashtu si dhe datat që lidhen me këto dy lëvizje të mëdha kombëtare, është tregues se brenda popullit tonë është arritur pajtueshmëri për kontributet gjegjëse të tyre.

Pse e kam arritur këtë përfundim? Sepse, në gjykimin tim, lëvizja paqësore e Presidentit Rugova, ishte thelbësore në arritjen e një objektivi: ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Kjo mund të duket një fjalë goje sot, diçka shumë e thjeshtë, por bashkëkohësit e dinë se me sa shumë sakrifica u arrit ky ndërkombëtarizim, ndërsa regjimi i Milosheviqit e quante Kosovën si çështje të brendshme të Serbisë. Presidenti Rugova nuk e përfshiu Kosovën në aventura bashkë me republika të tjera të ish Jugosllavisë, sepse ai interpretonte në mënyrën më të zgjuar qasjen perëndimore ndaj krizës së ish Jugosllavisë. Edhe ngritja e një sistemi paralel vetëqeverisës si ide e tij ishte gjithashtu dëshmi e aftësive të shqiptarëve për të jetuar në mëvetësi.

Erdhi një moment kur kjo Lëvizje paqësore nuk mund të çonte në pavarësim, nuk mund të ndalte gjenocidin, dhe lufta e UÇK-së, e përshpejtoi kohën, e rriti ndërgjegjësimin ndërkombëtar në nevojën e zgjidhjes së shpejtë të çështjes së Kosovës. Kjo luftë solli ndërhyrjen e NATO-s së udhëhequr nga SHBA-të, pa të cilën s’do të ishim ku jemi. Sakrificat e kësaj ushtrie, të mbarë popullit shqiptar të Kosovës, reagimi ynë si komb ndaj gjenocidit, ku duhet të përmendim mikpritjen vëllazërore të Shqipërisë, e shpëtuan Kosovën nga zhdukja dhe e vendosën zgjidhjen e çështjes së saj si prioritet absolut ndërkombëtar.

Mbi të gjitha, qoftë Rugova, qoftë drejtuesit e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, nuk ju shmangën një boshti strategjik: aleancës me Perëndimin, që me miqësinë me Presidentin Uillson në 1919, pati një provë të fortë. Ishte kjo aleancë që e shpëtoi Kosovën dhe që mbetet dhe sot garanci për forcimin e saj.

Shpallja e pavarësisë së një shteti është si firmosja e certifikatës së lindjes. Atë duhet ta firmosësh në vendin e duhur që lindja të quhet e vlefshme botërisht. Prej vlefshmërisë së asaj certifikate vijon rritja, konsolidimi dhe pranimi i një shteti në familjen globale të tyre. Kështu ndodhi në 17 shkurt 2008, sërish me këshillimin e miqve tanë perëndimorë dhe drejtësia e shpalljes së 17 shkurtit u provua me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Prej asaj shpalljeje, prej rezolutës së Asamblesë së OKB-së, në 2010, është vënë në lëvizje një proces i pandalshëm i themelimit, konsolidimit dhe njohjes të shtetësisë së Kosovës.

Në planin e brendshëm janë krijuar institucione shtetërore që funksionojnë normalisht; po krijohet një sistem ekonomik i vetëmjaftueshëm pavarësisht sfidave që mbeten. Në planin ndërkombëtar, Kosova po arrin përkundër obstruksionit serb dhe të ndonjë fuqie të madhe, të sigurojë njohjen e saj në familjen e shteteve që do të kulmojë me anëtarësimin në OKB. Edhe negociatat që po zhvillohen në Bruksel, gjithmonë në këshillim me sponsorët ndërkombëtarë të pavarësisë sonë, janë njëlloj parathënie e këtij anëtarësimi.

Nuk është e rastit që për herë të parë absolutisht, Serbia në gojën e krerëve më të lartë të saj po pranon mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në OKB, megjithëse ata shpallin publikisht kushtëzime.

Pritet të shkrihen institucionet paralele të Serbisë në territorin e pandashëm të Kosovës dhe kjo nuk është një arritje e vogël në fare kaq pak kohë. Është pikërisht qasja udhërrëfyese e rilindësve tanë, e Presidentit Rugova, e udhëheqësisë së Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, ruajtja me çdo kusht e aleancës me Perëndimin, ajo që na garantoi këto të arritura.

Pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë në planin e brendshëm Kosova ka sfida të mëdha. Është treguar pjekuri e madhe me ruajtjen e njëmendësisë sonë, nëpërmjet shmangies së çdo konflikti të brendshëm ndëretnik, apo politik. Kjo duket qartë nga fakti se sot brezat e rinj të Kosovës konsiderojnë njëjtë si baballarë të pavarësisë, Ibrahim Rugovën dhe Adem Jasharin. Por, këta breza duan jetë në mirëqenie dhe në paqe dhe ne ia kemi borxh atyre.

Ka ardhur koha për një doktrinë të re të lirisë, të funksionimit të saj, sepse vetëm pavarësia pa liri, nuk çon në përparim. Kjo doktrinë e re duhet të mbështetet mbi një strategji mbarëkombëtare zhvillimi. Kjo do të thotë se vendi ynë, Kosova duhet të ndërtojë prioritete zhvillimore në pajtim me ato të Shqipërisë, apo të kombit shqiptar kudo që jeton dhe të Bashkimit Evropian ku duam të integrohemi. Vërtet Konferenca e Londrës 100 vjet më parë na ndau, por sot kur padrejtësia e saj është restauruar, ne na duhet të mendojmë për mirëqenien dhe përparimin tonë.

Brenda modelit të Bashkimit Evropian ne duhet të krijojmë realitete ekonomike përplotësuese, hapësirë kulturore, akademike, tregtare të përbashkët. Ne s’kemi ndërmend të ndryshojmë kufijtë jashtë qasjes perëndimore, SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, për rajonin. Por, askush s’na pengon, madje na inkurajon për të krijuar një hapësirë ekonomike të përbashkët, që do të funksionojë pse jo mbi bazë institucionale të fortë.

Një doktrinë e re zhvillimore, kërkon njerëz të rinj. Eksperienca e çlirimit, dhe e këtyre pesë vjetëve ka konsumuar figura të caktuara që i janë referuar qoftë lëvizjes rugoviste, qoftë asaj çlirimtare për t’u provuar në pushtet. Qeverisja është diçka e komplikuar që nuk zhvillohet mbi bazë biografie, por mbi bazë aftësish teknike, të njohjes dhe zbatimit të ligjit, aftësish manaxheriale etj. Ka ardhur koha që më të mirët e këtyre dy periudhave historike, të asaj të rugovizmit dhe asaj të luftës çlirimtare të thërrasin në skenë djem dhe vajza të reja të mësuar bukur mirë në Perëndim apo dhe brenda Kosovës.

Ne duhet të justifikojmë angazhimin perëndimor në favor të pavarësimit të Kosovës duke treguar se Kosova mund të mbijetojë ekonomikisht, brenda suazave të shtetit ligjor, si një hapësirë ku respektohet ligji, luftohet krimi i organizuar. Ne i kemi aftësitë si popull, si komb, që t’ia shpërblejmë Perëndimit dhe brezave të rinj, duke ndërtuar një Kosovë të re, të vetëmajftueshme, ku “dielli lind, atje ku perëndon”, siç thoshin rilindësit tanë.