Pesë mënyra për të nxjerrë në pah sytë tuaj në mënyrë të përsosur me ngjyrën blu
Nga sezoni në sezon na presin risi që ose i pranojmë me entuziazëm ose mezi presim të kalojë aktualiteti i tyre
Hijet blu të ndezura, eyeliner dhe bojë për vetulla janë sërish në trend dhe njoftimet e zhurmshme u bënë muaj më parë nga vajzat e IT-së në botë, Hailey Bieber, Kendall Jenner dhe Selena Gomez, të cilat mbanin nuanca blu në sytë e tyre, si dhe Zendaya, e cila zgjodhi një manikyr blu.
Këto zonja të famshme nisën një trend që tashmë po përjeton një shpërthim dhe duket se ngjyrat blu në dukjet e grimit nuk do të mungojnë as në muajt në vijim.
Kur bëhet fjalë për modën e lartë, marka të tilla si Versace, Jil Sander, AZ Factory, Pierre Cardin dhe Etro kanë prezantuar grimin blu në shfaqjet e tyre, duke eksploruar të gjithë paletën nga tonet e ftohta metalike të viteve nëntëdhjetë deri tek eyeliner blu e thellë, transmeton Telegrafi.
Më poshtë ju sjellim pesë këshilla për ta përdorur ngjyrën blu në grimin tuaj
Tonet e ftohta të viteve 2000
Referencë janë nuancat e buta që kalojnë në tone pastel, me një shkëlqim metalik në ngjyrë të argjendtë, duke krijuar efektin e grimit "frosty" (të akullt). Ky stil rikujton supermodelet e viteve '90 dhe tashmë është përqafuar nga fytyra të njohura si Iris Law dhe Lily-Rose Depp.
'Smokey eyes' guximtar
Zëvendësoni versionin klasik në ngjyrë kafe, të zezë apo gri me nuanca blu, një ndryshim që do t’ju veçojë nga të tjerët dhe do t’ju nxjerrë nga zona e rehatisë së grimit tradicional.
Vija të theksuara
Kur bëhet fjalë për grim të guximshëm, vijat e theksuara të eyeliner-it, trekëndëshat, vijat apo forma të tjera gjeometrike në qepallë krijojnë një pamje eklektike, ndoshta e tepruar për përditshmëri, por perfekte për momente të veçanta dhe plot origjinalitet.
Deti në sy
Ngjyra blu e çelët e aplikuar në të gjithë qepallën kombinohet në mënyrë ideale me tonet e buta të pjeshkës në faqe.
Maskara blu
Përdoreni kur nuk vendosni hije blu në sy, për një pamje më të butë. Përputhet mrekullisht me tone të arta apo kafe, si dhe me një vijë të thjeshtë të eyeliner-it. /Telegrafi/

































