Avokatja me origjinë shqiptare ka përfunduar me sukses udhëtimin e saj prej nga brigjet e Leces, (San Focca) deri në Gadishullin e Karaburunit, ku dhe ka prekur brigjet e Shqipërisë.
Arritjen e Eva Buzos e ka përshëndetur edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Në një postim në Facebook, Rama e ka konsideruar arritjen e Eva Buzos një histori mbresëlënëse dhe rekord.
“Një histori mbresëlënëse ajo e Eva Buzos, avokatja shqiptare, e cila ka shënuar një rekord në not duke përshkruar 92 km nga brigjet e Italisë deri në Vlorë”, shkruan Rama.
“Një udhëtim në ujë prej 34 orësh për Evën, e cila sfidën e lënë në mes vitin e kaluar, u rikthye për ta përfunduar këtë vit, me një forcë fizike dhe psikologjike të jashtëzakonshme”, shton kryeministri.
Buzo është rikthyer pas një viti për të përfunduar sfidën e saj, duke përshkuar me not brigjet nga Italia deri në Vlorë.
Eva ka qëndruar në Vlorë për disa ditë dhe ditën e djeshme, rreth orës 14:00, është nisur për në Itali me gomonen e qendrës së peshkimit në Radhimë, dhe rreth orës 18:00 Eva ka nisur sfidën e lënë në mes vitin e kaluar, për të përshkuar me not nga Lece deri në Vlorë. /Telegrafi/